Nga Lies Kooi, HET KONTAKT
Në mesin e tetorit, gjashtë nxënës dhe dy mësues të shkollës së arsimit të mesëm profesional vmbo Schans, në Sleeuwijk të Holandës, udhëtuan drejt Tiranës, në Shqipëri.
Në bashkëpunim me organizatën Global Care Center, ata u angazhuan për të ndihmuar fëmijët nga familje në vështirësi ekonomike, që jetojnë në periferi të qytetit. Për këtë qëllim, shpërndanë pako ushqimore dhe organizuan aktivitete argëtuese me fëmijët.
Udhëtimi pesëditor la mbresa të thella te grupi. Si nxënësit, ashtu edhe mësuesit, tregojnë me kënaqësi për udhëtimin e tyre në një vend që ndryshon kaq shumë nga Holanda.
Mësuesi Daan Koekkoek kishte qenë edhe katër herë të tjera në Shqipëri, në kuadër të një projekti të kishës së tij.
“Meqenëse në shkollën tonë zgjedhim çdo vit një kauzë bamirësie për ta mbështetur, unë propozova Global Care Center-in.”
Shkolla e miratoi propozimin dhe më pas nisën përgatitjet, të cilat kërkuan kohë dhe angazhim.
Nxënëset Kyra, Sharon, Renske, Julia, Jasmijn dhe nxënësi Jayro janë tani në vitin e fundit të shkollës, por për projektin ishin regjistruar që në klasën e dytë. Gjatë vitit të tretë shkollor, ata u angazhuan intensivisht në organizimin e aktiviteteve të ndryshme për mbledhjen e fondeve.
Si rezultat, arritën të grumbullonin plot dhjetë mijë euro. Këtë vjeshtë, më në fund, erdhi momenti i shumëpritur.
Global Care Center
Pas mbërritjes në Tiranë, nxënësit dhe mësuesit u gjendën në një botë krejt tjetër. Organizata ka qendrën e saj multifunksionale, ku ndodhet edhe një shkollë e vogël.
Shumë fëmijë nuk e kanë të lehtë jetën në shtëpi dhe për këtë arsye grupi dëshironte t'u sillte kryesisht pak gëzim.
“Bëmë punime dore me fëmijët, kërcyem dhe u morëm me sport”, tregon Sharon.
Megjithatë, gjatë aktiviteteve sportive, atyre u ra në sy se fëmijët shfaqnin sjellje agresive. Duket se lëndimi i njëri-tjetrit është diçka krejt e zakonshme për ta.
Mësuesi Koekkoek ka një shpjegim për këtë.
“Këtë dhunë ata e shohin në shtëpi. Kultura shqiptare është një kulturë e ashpër, ku burri është ai që vendos. Dhuna dhe abuzimi janë të përhapura. Për ta thyer këtë kulturë, organizata përqendrohet te fëmijët.”
Fasule me bukë
Grupi vizitoi edhe disa fëmijë në shtëpitë e tyre, për të parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë familjet.
Jasmijn tregon: “Varfëria është shumë e madhe. Shtëpitë janë të vogla dhe të gjithë flenë në të njëjtën dhomë. Ka vetëm një sobë, e cila ndodhet në mes të dhomës, ndërsa disa familje nuk kanë as sobë. Megjithatë, njerëzit janë shumë mikpritës.”
Nxënësve u duket tronditëse që fëmijët në shtëpi shpesh marrin vetëm një vakt në ditë: fasule me bukë.
Për këtë arsye, fëmijët shkojnë me shumë dëshirë në qendër, ku u ofrohet më shumë ushqim.
“Jemi vërtet me fat për kushtet që kemi në shtëpitë tona, apo jo?”, vëren mësuesi Van Wijk. Të gjithë pohojnë me kokë.
Çlodhje
Qëllimi i udhëtimit, për të bërë diçka për fëmijët që rriten me më pak mundësi dhe njëkohësisht për të zgjeruar këndvështrimin e tyre për botën, u arrit me sukses.
Përveç varfërisë së rëndë që panë gjatë një vizite në një fshat malor, ata shijuan edhe peizazhet e mrekullueshme të vendit. Jo më kot turizmi në Shqipëri po njeh një rritje të madhe.
Mes aktiviteteve të ndryshme pati edhe kohë për t'u çlodhur. Ata vizituan një treg dhe bënë ecje malore.
Në bujtinën ku qëndronin luajtën lojëra dhe përgatitën petulla dhe kek me mollë. Petullat u përgatitën pa dashje me dhallë. “Mendova se kisha blerë qumësht, por edhe me dhallë petullat dolën të shijshme”, tregon Jasmijn duke qeshur.
Të kënaqur me përvojën
Gjuha e komunikimit është shqipja dhe kjo përbënte një sfidë, por me ndihmën e anglishtes dhe gjuhës së shenjave ia dolën mbanë.
U kthyen të kënaqur, por edhe disi të rraskapitur, duke arritur në përfundimin: “Dhuruam gjithçka që kishim dhe sa mirë jemi ne në Holandë!”
Shkolla vmbo Schans dëshiron ta vazhdojë këtë projekt dhe të krijojë një grup të ri pjesëmarrësish. Projekti do të prezantohet edhe gjatë mbrëmjes së dyerve të hapura, më 20 nëntor.
© SYRI.net