Përjashtimi i Elisa Spiropalit nga grupi i PS, Taulant Balla: Më vjen keq që arritëm në këtë vendimmarrje

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar vendimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar, duke u shprehur se i vjen keq që është arritur në këtë pikë, pas nëntë vitesh.
I pyetur për arsyet konkrete të përjashtimit, Balla nuk dha detaje, por bëri me dije se dokumentacioni përkatës do t’i vihet në dispozicion Kuvendit.
“Pas 9 vitesh më vjen keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje. Kjo legjislaturë ka edhe 30 muaj deri në fund”, deklaroi Balla.
I pyetur nëse vendimi lidhej me parimin se, nëse Asambleja e përjashton Spiropalin, duhet ta bëjë këtë edhe grupi parlamentar, ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Balla iu referua gjithashtu rregullores së grupit parlamentar, duke përmendur nenin 28 dhe duke thënë se vendimmarrja është në përputhje me të, ashtu siç ndodh edhe në Bundestagun gjerman.
Në fund, kur u pyet nëse do të vijojë komunikimin me Elisa Spiropalin, kreu i grupit parlamentar të PS-së u përgjigj: “Padyshim, unë komunikoj me të gjithë deputetët e Kuvendit”.




