Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i PS-së.

Në një deklaratë për mediat, pas vendimmarrjes, Balla u shpreh se procedura është ndjekur në përputhje me statutin e Partisë Socialiste dhe rregulloren e Grupit Parlamentar. Ai bëri të ditur se dokumentacioni përkatës do t’i vihet në dispozicion Kuvendit, ndërsa shmangu komentet mbi arsyet dhe diskutimet e brendshme që çuan në këtë vendim.

“Çështjet e diskutimit të brendshëm të Grupit Parlamentar të PS-së nuk janë objekt i diskutimit me mediat. Do të keni dokumentacionin që do t’i vihet në funksion Kuvendit lidhur me këtë vendimmarrje të Asamblesë Kombëtare, e cila në zbatim të rregullores së Grupit Parlamentar u njoftua sot edhe në Grupin Parlamentar.

Pas 9 vitesh në Grupin Parlamentar, më vjen keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje”, deklaroi Balla.

Vendimi për përjashtimin e Elisa Spiropalit shënon një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet e saj me Partinë Socialiste, ku ajo ka mbajtur edhe poste të rëndësishme politike dhe institucionale.

Nga ana e tij, Balla u përpoq ta mbante çështjen në kuadrin e procedurave statutore dhe rregullave të funksionimit të grupit parlamentar, duke theksuar se dokumentacioni zyrtar do të përcillet në Kuvend. Ai nuk dha detaje të tjera mbi diskutimet që paraprinë vendimmarrjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb