Gjobat nuk do të merren më në letër, por do të digjitalizohen. Lajmi u bë I ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve publike. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se me sistemin e ri merr fund epoka e gjobave të vendosura në copa letre, pasi çdo masë administrative do të pasqyrohet në llogarinë e-Albania të qytetarëve. “Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë tek mesazhet e tij në ‘e-Albania’ gjobat që ka. Po ashtu janë edhe kategorizimet e gjobave në databazë, që janë shumë të rëndësishme qoftë për institucionet, qoftë për Inspektoratin e Përgjithshëm për të parë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, në gjoba të paguara, në gjoba të apeluara. Ndërkohë do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund, po ashtu, të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.”