Milani kërkon me ngulm Endrick dhe po përgatit një ofertë konkrete për ta transferuar që në janar. Pas tentativës së verës së kaluar, drejtuesit kuqezinj kanë intensifikuar kontaktet me Real Madridin dhe përfaqësuesit e sulmuesit brazilian, të lindur në vitin 2006, duke i bërë të ditur se synojnë blerjen përfundimtare të kartonit të tij. Nëse marrëveshja nuk arrihet në janar, Milani do të rikthehet në ofensivë gjatë verës.
Sipas “Cadena SER” dhe “TNT Sports Brazil”, oferta pritet të arrijë në afro 70 milionë euro: 60 milionë euro fikse dhe 10 milionë të tjera në formë bonusesh. Milani është gjithashtu i gatshëm të përmirësojë pagën aktuale të Endrick, që kalon 3.2 milionë euro neto në sezon.
Reali, nga ana tjetër, kërkon të ruajë kontrollin mbi të ardhmen e brazilianit, duke vendosur një klauzolë riblerjeje prej 80-85 milionë eurosh, të vlefshme për dy vjet, si dhe të drejtën e parablerjes ndaj ofertave të ardhshme.
Pengesa kryesore mbetet José Mourinho, i cili e vlerëson Endrick për intensitetin dhe paraqitjet në stërvitje. Trajneri nuk dëshiron ta humbasë pa gjetur një zëvendësues të denjë.
Vetë braziliani është i shqetësuar për minutazhin e pakët, edhe për shkak të rrezikut të humbjes së vendit në kombëtare. Ditët e ardhshme, përfaqësuesit e tij do të udhëtojnë në Madrid për të diskutuar situatën me drejtuesit e klubit.







