Njeriu pas Nvidia-s: Ngjitja dhe rikthimi dramatik i Jensen Huang

Rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Jensen Huang, nga themelimi i Nvidia-s deri në shndërrimin e saj në një gjigant të inteligjencës artificiale, dhe skandali që i parapriu rikthimit të papritur në krye të kompanisë.
Çipat e projektuar nga Nvidia po zgjerojnë kufijtë e inteligjencës artificiale, ndërsa bashkëthemeluesi i saj, Jensen Huang, i njohur për xhaketën prej lëkure, e ka shndërruar kompaninë në një nga markat më të rëndësishme në botë gjatë 33 viteve në drejtimin e saj.
Të hënën, vetëm 11 ditë pasi u largua për shkak të një skandali spiunazhi, ai u rikthye në detyrën e drejtorit ekzekutiv. Rikthimi i papritur nënvizoi rolin e tij në dukje të pazëvendësueshëm në një industri që ka nxitur një revolucion teknologjik dhe një bum ekonomik global.
Pak i njohur për publikun e gjerë deri disa vite më parë, Huang u shndërrua në një sipërmarrës të profilit të lartë, duke mbushur stadiume gjatë prezantimit të komponentëve teknologjikë të avancuar, thelbësorë për zhvillimin e platformave të inteligjencës artificiale si ChatGPT.
Por më 12 nëntor ai u detyrua të jepte dorëheqjen, pas zbulimeve se kishte tradhtuar bashkëshorten me një grua, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se kishte lidhje me shërbimet e inteligjencës kineze.
Ngjitja meteorike
Nvidia, me seli në Kaliforni, është shndërruar në një nga kompanitë me vlerën më të lartë në botë, falë kërkesës së jashtëzakonshme për çipat që ajo projekton, të njohur si njësi të përpunimit grafik (GPU).
Rritja e vrullshme e kompanisë e bëri Huang një nga njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri prej rreth 160 miliardë dollarësh (138 miliardë euro), sipas Forbes.
Pasuria e tij buron nga pjesëmarrja prej rreth 4% në kapitalin e kompanisë, të cilën e themeloi tre dekada më parë me dy miq në një restorant në Silicon Valley.
Ai është bërë një këshilltar i afërt informal i Donald Trump për inteligjencën artificiale, duke udhëtuar me presidentin amerikan në avionin presidencial Air Force One drejt Pekinit në fillim të këtij viti.
Zhvillimet dramatike të javëve të fundit janë shumë larg fillimeve të Huang, i lindur në Taipei në vitin 1963, historia e të cilit mishëron ëndrrën amerikane të suksesit.
Në moshën nëntëvjeçare, ai u dërgua së bashku me vëllain në një shkollë me konvikt në një qytet të vogël në Kentaki.
Xhaxhai i tij ua kishte rekomanduar shkollën prindërve tajvanezë, duke besuar se ishte një institucion prestigjioz, ndërkohë që në të vërtetë ishte një shkollë për të rinjtë me probleme në sjellje.
Duke qenë shumë i vogël për të ndjekur mësimet atje, Huang banonte në konvikt, por frekuentonte një shkollë publike aty pranë, së bashku me fëmijët e kultivuesve të duhanit. Për shkak të njohurive të kufizuara të anglishtes, ai përballej me bullizëm dhe detyrohej të pastronte tualetet.
“Punonim shumë, studionim shumë dhe fëmijët ishin vërtet të ashpër”, kujtoi ai në një intervistë për radion amerikane NPR. “Por në fund, e kam dashur kohën që kalova atje.”
Pasi u ribashkua me prindërit, të cilët ndërkohë ishin vendosur në shtetin e Oregonit, në veriperëndim të SHBA-së, ai përfundoi universitetin në moshën 20-vjeçare dhe filloi punë fillimisht në AMD, e më pas në LSI Logic, duke iu përkushtuar pasionit të tij, projektimit të çipave.
Një yll në Tajvan
Me ambicien për të shkuar më tej, Huang themeloi Nvidia-n në vitin 1993 për të “zgjidhur probleme që kompjuterët e zakonshëm nuk mund t’i zgjidhin”, duke përdorur gjysmëpërçues mjaftueshëm të fuqishëm për të përpunuar grafikë tredimensionale, siç deklaroi në një intervistë për podcast-in “No Priors”.
Në vitin 1999, Nvidia krijoi njësinë e parë të përpunimit grafik (GPU), duke përfituar nga zgjerimi i industrisë së videolojërave, qendrave të të dhënave, informatikës cloud dhe tashmë inteligjencës artificiale gjeneruese.
I veshur pothuajse gjithmonë me bluzë të zezë dhe xhaketë lëkure, Huang mban një tatuazh me logon e Nvidia-s dhe ka pasion makinat sportive.
Ai ka kundërshtuar thirrjet për ngadalësimin e qëllimshëm të zhvillimit të inteligjencës artificiale, edhe pse disa ekspertë të industrisë paralajmërojnë se teknologjia mund të kërcënojë ekzistencën e njerëzimit brenda një dekade.
“Duhet të ecim sa më shpejt që të mundemi” në zhvillimin e inteligjencës artificiale, deklaroi ai për CBS News në shtator.
Gjatë vizitave në vendlindjen e tij, në Tajvan, Huang pritet si një yll botëror. Admiruesit e rrethojnë për autografe dhe fotografi, ndërsa gazetarët e ndjekin deri te berberi dhe tregu i tij i preferuar i natës.
Nvidia ishte kujdesur të ndërtonte një imazh të Huang pa polemika, por një ish-punonjës e përshkroi atë si një drejtues të aftë për t’i kritikuar pamëshirshëm punonjësit për gabimet apo vendimet e gabuara.
“Mezi pres të rikthehem në punë”, deklaroi ai të hënën. /Euronews
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









