Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot një takim në Kuvend me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Moldavisë, Igor Grosu i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të një vizite zyrtare.

Bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet mes dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe zgjerimin e shkëmbimeve institucionale, me synim thellimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Shqipërisë dhe Moldavisë.

Peleshi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për procesin e integrimit të Moldavisë në Bashkimin Europian, duke vlerësuar përparimin e arritur në negociatat e anëtarësimit, ku deri tani janë hapur katër nga gjashtë grupkapitujt negociues.

Në këtë kuadër, kryetari ndau përvojën e Shqipërisë në procesin e negociatave, veçanërisht në përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Europian, reformën në drejtësi, në administratën publike, reformën territoriale dhe forcimin e institucioneve. Ai vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të ekspertizës mes dy parlamenteve për të mbështetur reformat dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.

Në fokus të bisedës ishte edhe situata e sigurisë në rajon, mbrojtja e institucioneve demokratike dhe përballimi i kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit. Të dy palët nënvizuan rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit në forumet parlamentare ndërkombëtare, si dhe të angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe stabilitetit rajonal.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me fokus në turizëm, bujqësi, teknologji, inovacion dhe investime. U vlerësua potenciali për të nxitur lidhjet mes komuniteteve të biznesit, si dhe shkëmbimet në fushën e arsimit, kulturës dhe kontakteve mes qytetarëve të të dy vendeve.

Shqipëria dhe Moldavia ndajnë të njëjtin objektiv strategjik, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim, bashkëpunimi parlamentar dhe shkëmbimi i përvojave mbeten të rëndësishme për të mbështetur reformat dhe përparimin e të dy vendeve në këtë proces.