Autoritetet polake e kanë cilësuar incidentin si veprim të qëllimshëm të Moskës.

Siç raporton The Guardian, droni, për të cilin dyshohet se bartte pajisje vëzhgimi, qëndroi për tetë minuta në hapësirën ajrore polake, para se të largohej në drejtim të Ukrainës.

Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, ka thënë për mediumin RMF24 se ushtria vendosi të mos e rrëzonte dronin, për shkak të rrezikut që nga ndërhyrja të mund të pësonin prona civile në zonë.

Incidenti ndodhi vetëm disa orë pasi NATO mbajti bisedime emergjente lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore polake javën e kaluar. Pas këtyre bisedimeve, u autorizua dërgimi i një avioni të NATO-s të sistemit të paralajmërimit dhe kontrollit ajror (AWACS) në Poloni.

Ngjarja vjen në një kohë të tensioneve të shtuara mes Rusisë dhe vendeve në krahun lindor të NATO-s. Moska ka bërë akuza ndaj Estonisë, duke paralajmëruar se ky shtet po vepron në prag të shpërthimit të një lufte të hapur. Ndërkohë, tensionet diplomatike mes Rusisë dhe Finlandës janë gjithashtu në rritje.

Ndërkaq, gjatë natës, të paktën dy persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në qytetin ukrainas të Zaporizhzhias. Sulme të tjera u raportuan edhe në rajonin e Sumyt.