Një britanik ka arritur të udhëtojë nga Mançesteri në Alicante të Spanjës me pasaportën e bashkëshortes, pa e vënë re askush në aeroport se fotografia në dokument nuk ishte e tij.
Ben Moore, nga Staffordshire, e kuptoi ngatërresën vetëm pasi zbriti nga avioni i kompanisë Ryanair dhe po priste në radhë për kontrollin e pasaportave në Spanjë, raporton BBC.
“E hapa pasaportën dhe, për tmerrin tim, pashë foton e gruas sime. Miqtë me të cilët po udhëtoja më thanë se u zbeha menjëherë”, tregoi ai. Moore, i cili kishte udhëtuar drejt Spanjës me miqtë për një festë beqarie, fillimisht mendoi se kishte marrë me vete të dyja pasaportat. Pasi kontrolloi disa herë bagazhet, kuptoi se pasaportën e tij e kishte lënë në shtëpi.
“I kontrollova të gjitha bagazhet e mia rreth tetë herë, duke menduar se nuk kishte mundësi të kisha mbërritur në Alicante pa pasaportën time”, tha ai. Po aq të habitur sa britaniku ishin edhe policët spanjollë, të cilët, sipas tij, nuk arrinin ta besonin se si kishte kaluar kontrollet në Mançester me pasaportën e një gruaje.
Moore tregoi se u trajtua “pak a shumë si një kriminel” dhe se e gjithë situata ishte disi e frikshme. Britaniku, i cili ka një pronë në Spanjë dhe udhëton atje disa herë në vit, këtë herë u detyrua të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa miqtë e tij vazhduan pushimet pa të.
Kompania ajrore Ryanair tha se kontrollet në aeroportin e Mançesterit ishin kryer nga një kompani e jashtme dhe se po heton rastin. Nga ana tjetër, aeroporti i Mançesterit sqaroi se kontrolli i pasaportave është përgjegjësi e kompanive ajrore, pasi gjatë kalimit në pikat e sigurisë, pasagjerëve u kërkohet vetëm karta e imbarkimit.
Edhe Departamenti Britanik i Transportit konfirmoi se verifikimi i pasaportave u takon kompanive ajrore dhe kryhet gjatë regjistrimit dhe hipjes në avion.






Komente
Komento