Të paktën 7 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, mes tyre edhe një zyrtar i lartë i Hamasit
Të paktën shtatë palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në zona të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë së martës, mes tyre edhe Naeem Abu Nahel, drejtues i aparatit të sigurisë së brendshme të Hamasit
Një sulm ajror izraelit ka vrarë Naeem Abu Nahel, një zyrtar të lartë të sigurisë së Hamasit në Rripin e Gazës, bëjnë të ditur burime të Hamasit.
Sipas agjencisë Reuters, Abu Nahel drejtonte aparatin e sigurisë së brendshme të organizatës dhe u vra të martën në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës.
Ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet konfirmuan përmes një deklarate të përbashkët se kishin kryer një sulm ndaj një anëtari të lartë të Hamasit, por fillimisht nuk e identifikuan personin e shënjestruar.
Vrasja ndodh në një periudhë kur sulmet izraelite në Rripin e Gazës vazhdojnë, pavarësisht armëpushimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili hyri në fuqi në tetor të vitit 2025.
Sipas raportimeve të Reuters, sulmet e së martës në zona të ndryshme të Gazës shkaktuan të paktën shtatë viktima, përfshirë edhe dy policë palestinezë.
Ndërkohë, Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.















