E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Përjashtimi i Spiropalit, Rama shmang votimin në grupin e PS-së
Lajme

Përjashtimi i Spiropalit, Rama shmang votimin në grupin e PS-së

Rreth 50 deputetë nuk ngritën dorën

Vendimi për përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është shoqëruar me pikëpyetje mbi mënyrën se si u zhvillua mbledhja dhe procedurën e ndjekur nga drejtuesit e mazhorancës. Sipas informacioneve, çështja nuk ishte përfshirë në rendin e ditës të njoftuar paraprakisht, ndërsa vetë Spiropali nuk ishte thirrur dhe nuk mori pjesë në mbledhje.

Në vend që anëtarëve të grupit t’u kërkohej të shpreheshin përmes një votimi të rregullt, vendimmarrja e marrë në Asamblenë e PS-së u paraqit si një çështje e përfunduar, duke u kërkuar deputetëve ta konsideronin atë të miratuar edhe në nivelin e grupit parlamentar.

Por mënyra se si u administrua ky proces ngre pikëpyetje serioze. Rreth 50 deputetë nuk e ngritën dorën, megjithatë vendimmarrja u komunikua sikur të kishte marrë miratimin e grupit.

Pra, nuk pati një votim formal që të evidentonte qartë qëndrimin e secilit deputet dhe as një pasqyrim transparent të vullnetit të anëtarëve të Grupit Parlamentar.

Kjo mënyrë veprimi ngre një çështje thelbësore: përse u shmang procedura e zakonshme e votimit? Nëse ekzistonte një shumicë e qartë në mbështetje të përjashtimit të Spiropalit, çfarë e pengonte drejtimin e PS-së që ta hidhte çështjen në votim dhe të merrte një vendim të dokumentuar?

Fakti që një numër i konsiderueshëm deputetësh nuk shprehën mbështetje me ngritjen e dorës e bën edhe më të rëndësishme transparencën mbi atë që ndodhi në mbledhje.

A ishte shmangia e votimit një mënyrë për të mos ekspozuar qëndrimet e ndryshme brenda mazhorancës? A ekzistonin rezerva mes deputetëve për vendimin e marrë ndaj Spiropalit, të cilat një votim i drejtpërdrejtë mund t’i nxirrte në pah?

Në një grup parlamentar, vendimmarrja nuk mund të reduktohet në formalizimin e një vendimi të marrë më herët nga strukturat drejtuese. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një çështje politike që prek drejtpërdrejt statusin e një deputeteje dhe raportet e saj me grupin parlamentar.

Përjashtimi i Elisa Spiropalit duhej të shoqërohej me një proces të qartë, transparent dhe në përputhje me rregullat e funksionimit të grupit. Mungesa e një votimi formal dhe fakti që një pjesë e madhe e deputetëve nuk e shprehën publikisht qëndrimin e tyre lënë hapur pikëpyetje mbi legjitimitetin procedural të këtij vendimmarrjeje.

Demokracia brenda një partie nuk provohet kur të gjithë ndjekin qëndrimin e kryetarit, por pikërisht kur ka mendime të ndryshme dhe kur ato lejohen të shprehen lirisht. Në rastin e Spiropalit, mënyra se si u trajtua vendimi ngre dyshime nëse vullneti i Grupit Parlamentar u mor realisht në konsideratë apo thjesht u konsiderua i mirëqenë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.