Një dron që dyshohet se ishte rus ka hyrë mbrëmjen e së hënës në hapësirën ajrore të Polonisë, ku qëndroi për tetë minuta përpara se të kthehej drejt Ukrainës. Autoritetet polake e kanë cilësuar incidentin si një veprim të qëllimshëm të Moskës.
Sipas The Guardian, droni, i cili dyshohet se mbante pajisje vëzhgimi, hyri në territorin polak ndërsa Rusia po sulmonte pjesën perëndimore të Ukrainës.
Por pse ushtria polake nuk e rrëzoi dronin? Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Pavel Zalevski, tha për RMF24 se vendimi u mor për shkak të rrezikut që ndërhyrja të shkaktonte dëme në pronat e civilëve në zonë.
Incidenti ndodhi vetëm disa orë pasi NATO zhvilloi bisedime emergjente për shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë javën e kaluar. Pas takimit u autorizua dërgimi në Poloni i një avioni të NATO-s për paralajmërimin dhe kontrollin ajror (AWACS).
Shkelja e hapësirës ajrore polake vjen në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe vendeve të krahut lindor të NATO-s janë shtuar. Moska ka akuzuar Estoninë se po vepron në prag të shpërthimit të një lufte të hapur, ndërsa janë shtuar edhe tensionet diplomatike me Finlandën.
Ndërkohë, sulmet ruse gjatë natës në qytetin ukrainas të Zaporizhias kanë lënë të paktën dy të vrarë dhe 40 të plagosur. Sulme janë raportuar edhe në rajonin e Sumit.







Komente
Komento