Kosova importon afro 700 mln euro në muaj, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia partnerët kryesorë

Importet e Kosovës u rritën për 12.5 për qind në tetor 2026 dhe arritën në 699.3 milionë euro, ndërsa eksportet, megjithëse shënuan rritje më të lartë në përqindje, mbetën në vetëm 124.2 milionë euro. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia ishin ndër partnerët e rëndësishëm tregtarë të Kosovës, nga të cilët u blenë mallra në vlerë prej 75.5 milionë eurosh.
Kosova vazhdon të blejë dukshëm më shumë mallra nga tregjet ndërkombëtare sesa arrin të shesë jashtë vendit. Vetëm gjatë tetorit 2026, vlera e importeve arriti në gati 700 milionë euro, ndërsa eksportet mbetën disa herë më të ulëta. Si rezultat, hendeku tregtar u zgjerua edhe më tej, duke e çuar deficitin në 575.1 milionë euro.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se importet gjatë këtij muaji arritën në 699.3 milionë euro, krahasuar me 621.6 milionë euro në tetor të vitit 2025. Kjo paraqet rritje vjetore prej 12.5 për qind.
Në anën tjetër, eksportet e mallrave arritën në 124.2 milionë euro, duke shënuar rritje prej 35.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Megjithatë, rritja më e shpejtë e eksporteve nuk ka qenë e mjaftueshme për të ngushtuar deficitin tregtar. Ai u rrit në 575.1 milionë euro, nga 530 milionë euro sa ishte në tetor të vitit 2025, që paraqet thellim prej 8.5 për qind.
Në terma të mbulimit të importeve me eksporte, për çdo 100 euro mallra që Kosova bleu nga jashtë, arriti të shesë vetëm 17.8 euro në tregjet ndërkombëtare.
Mbi 75 milionë euro mallra të blera nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut
Një pjesë e rëndësishme e shkëmbimeve tregtare të Kosovës zhvillohet me vendet e rajonit. Vetëm nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, gjatë tetorit u importuan mallra në vlerë prej rreth 75.5 milionë eurosh.
Maqedonia e Veriut ishte partneri më i madh nga këto tri shtete për nga vlera e mallrave të importuara. Nga ky vend, Kosova bleu produkte në vlerë prej 36.4 milionë eurosh, që përbënin 5.2 për qind të importeve të përgjithshme.
Serbia renditet pas saj me 21.7 milionë euro mallra të importuara, apo 3.1 për qind të totalit, ndërsa nga Shqipëria importet arritën në 17.5 milionë euro, që përbënin 2.5 për qind të importeve të përgjithshme.
Në drejtim të kundërt, Kosova eksportoi në këto tri tregje mallra në vlerë prej rreth 58 milionë eurosh.
Shqipëria ishte destinacioni kryesor i eksporteve kosovare. Gjatë tetorit, në këtë treg u shitën mallra në vlerë prej rreth 35.6 milionë eurosh, apo 28.7 për qind e eksporteve të përgjithshme.
Në Maqedoninë e Veriut, eksportet arritën në rreth 14.1 milionë euro, që përbënin 11.4 për qind të totalit, ndërsa në Serbi u eksportuan mallra në vlerë prej 8.3 milionë eurosh, apo 6.7 për qind e eksporteve të përgjithshme.
Këto shifra tregojnë se, vetëm në raport me këto tri shtete, Kosova bleu rreth 17.5 milionë euro më shumë mallra sesa shiti gjatë një muaji.
Sipas ASK-së, eksportet e përgjithshme të Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 65.9 milionë euro, duke përbërë 53.1 për qind të eksporteve totale. Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ato u rritën për 66.4 për qind.
Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 84.7 milionë euro, apo 12.1 për qind të importeve të përgjithshme, me rritje vjetore prej 12.3 për qind.
Gjermania, Kina dhe Turqia ndër partnerët kryesorë të importit
Përveç tregjeve rajonale, një pjesë e madhe e furnizimit të Kosovës vjen nga vendet e Bashkimit Evropian dhe tregjet e tjera ndërkombëtare.
Nga vendet e BE-së, Kosova importoi mallra në vlerë prej 283.6 milionë eurosh, që përbënin 40.6 për qind të importeve të përgjithshme. Kjo kategori shënoi rënie të lehtë prej 0.2 për qind krahasuar me tetorin e vitit paraprak.
Gjermania ishte partneri kryesor i importit nga Bashkimi Evropian, me 12.8 për qind të importeve të përgjithshme, e ndjekur nga Greqia me 5.7 për qind dhe Italia me 4.5 për qind.
Pjesa tjetër e importeve, në vlerë prej 330.9 milionë eurosh apo 47.3 për qind e totalit, erdhi nga vendet e tjera jashtë BE-së dhe CEFTA-s. Në këtë grup, Kina dhe Turqia ishin partnerët kryesorë, me pjesëmarrje prej 15.5 dhe 10.6 për qind.
Sa i përket strukturës së mallrave të importuara, pjesën më të madhe e përbënin produktet minerale me 18.6 për qind. Pas tyre renditeshin makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 12.3 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11.5 për qind, mjetet e transportit me 11 për qind, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 9.3 për qind.
Në anën tjetër, në strukturën e eksporteve dominonin metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 23.3 për qind, të pasuara nga produktet minerale me 20.6 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre me 10.7 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 8.7 për qind, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 8.1 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









