Ushtria izraelite dhe agjencia e sigurisë së brendshme Shin Bet kanë vrarë Naim Abu Nahlin, kreun e aparatit të sigurisë së brendshme të Hamasit në Rripin e Gazës. Lajmi u bë i ditur të martën nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
Vrasja e Abu Nahli ndodhi tre muaj pasi paraardhësi i tij ishte arrestuar nga ushtria izraelite, në një operacion që Netanyahu dhe Katz e cilësuan si “të guximshëm”. Në një deklaratë të përbashkët, dy zyrtarët izraelitë përgëzuan ushtrinë dhe Shin Bet për operacionin, duke theksuar se ai është pjesë e politikës së qeverisë së tyre ndaj Hamasit.
“Ne përgëzojmë IDF-në dhe Shin Bet për zbatimin e politikës agresive të qeverisë sonë. Asnjë terrorist nuk do t’i shpëtojë krahut të gjatë të Shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratë. Sipas raportimit të Al Jazeera-s, 50-vjeçari Naim Abu Nahl u vra nga një dron izraelit, teksa po ecte pranë një rruge, në afërsi të zyrës së tij. Nga sulmi mbetën të plagosur edhe disa persona të tjerë, të cilët u transportuan në spitalin Al-Shifa.
Ky është rasti i fundit në një seri sulmesh izraelite ndaj drejtuesve të lartë të Hamasit në Gaza. Javën e kaluar, ushtria izraelite dhe Shin Bet njoftuan vrasjen e Samir Mahmoud Hassan Abu Younis, komandant i Brigadës Rafah të Hamasit, në një sulm ajror në jug të Rripit të Gazës. Abu Younis kishte marrë këtë detyrë vetëm dy muaj më parë, pas vdekjes së paraardhësit të tij, Nael Abu Obeid, në muajin shtator. Ndërkohë, tre ditë më parë, forcat izraelite shënjestruan Khaled Suleiman Abu Anza, komandantin e Brigadës Khan Yunis të Hamasit, gjatë një sulmi në kompleksin e Spitalit Nasser, në Khan Yunis.
