Ajo u prit me ceremoni ushtarake nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me të cilin zhvilloi një takim për zhvillimin e Forcës, misionin, strukturën organizative, kapacitetet njerëzore, pajisjet, armatimin, infrastrukturën dhe sfidat me të cilat përballet.

Gjatë vizitës, Jashari i dhuroi presidentes uniformën e FSK-së, në shenjë nderimi për pozitën e saj si Komandante Supreme.

Shiroka Pula u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin diskutoi për investimet në modernizimin e FSK-së, përfundimin e procesit të tranzicionit dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të saj.

Sipas njoftimit, presidentja vlerësoi rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes dhe përparimin në zhvillimin e FSK-së, duke theksuar rëndësinë e pajisjeve moderne, infrastrukturës, trajnimit dhe aftësive operacionale.

Në takim u diskutua edhe për mirëqenien e pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë kompensimin për punën jashtë orarit, shtesat për rrezikshmëri, sigurimin shëndetësor dhe zbatimin e të drejtave të tyre ligjore.

Shiroka Pula drekuoi me pjesëtarët e FSK-së në kuzhinën e kazermës “Adem Jashari”, ku bashkëbisedoi me ta për shërbimin, përvojat dhe sfidat gjatë detyrës.