Mjeku Ilir Alimehmeti ka bërë thirrje për bashkimin e forcave opozitare në Tiranë, duke theksuar se gara për drejtimin e kryeqytetit dhe bashkive të tjera duhet të zhvillohet me një kandidat të vetëm, të dalë nga konsensusi mes partive opozitare.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, Alimehmeti u pyet nëse do të jetë ai kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës. Ai u shpreh se emrat individualë duhet të lihen në plan të dytë, pasi, sipas tij, interesi publik dhe konsensusi politik janë më të rëndësishëm se çdo kandidaturë personale.
“Konsensusi i forcave opozitare prevalon mbi çdo emër të përveçshëm. Konsensusi është interes publik dhe publikja gjithmonë është mbi privatin”, deklaroi Alimehmeti.
Megjithatë, mjeku konfirmoi gatishmërinë e tij për të hyrë në garë, nëse do të ketë dakordësi mes forcave opozitare.
“Nëse konsensusi arrihet, atëherë duhet parë se me çfarë mekanizmi zgjidhet kandidati. Në këtë proces, unë shpreh gatishmëri për të garuar për Tiranën”, u shpreh ai.
Alimehmeti propozoi gjithashtu një mekanizëm për përzgjedhjen e kandidatit të përbashkët, duke mbështetur votimin e qytetarëve përmes vendosjes së një kutie në shesh, ku secili banor i kryeqytetit të mund të shprehë preferencën e tij.
“Unë jam për kutinë tek sheshi, ku secili qytetar i Tiranës shpreh kandidatin e preferuar nga opozita e bashkuar”, tha ai.
Duke komentuar situatën politike, Alimehmeti theksoi se kryeministri Edi Rama nuk ka interes që opozita të paraqitet e bashkuar në zgjedhjet për Tiranën dhe qytetet e tjera. Sipas tij, fragmentimi i opozitës rrezikon të pengojë krijimin e një alternative të përbashkët.
“Edi Rama nuk do një kandidat të përbashkët për Tiranën. Është interes publik që spektri opozitar të jetë i bashkuar. Forcat opozitare duhet të bëhen bashkë, të mos bien në grackën e Ramës”, deklaroi Alimehmeti.
Në përfundim, ai iu referua edhe strategjisë politike të kryeministrit, që siç tha, ka moton “Përça e sundo”, duke theksuar se, kjo mënyrë veprimi duhet të marrë fund.
“Kryeministri Rama ka një teknikë të veten, ‘Përça e sundo’, që duhet të marrë fund”, përfundoi Alimehmeti.
