Cili është çmimi i spiunazhit për gjigantët e teknologjisë?

Në vitin 2023, drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës të aleancës Five Eyes u mblodhën në Universitetin Stanford në një dalje të rrallë publike. Ata paralajmëruan kompanitë e teknologjisë se qeveritë autoritare e kishin përqendruar vëmendjen te vjedhja e inovacioneve të tyre.
Paralajmërimi i tyre merr edhe më shumë peshë sot, pas vendimit tronditës të Nvidia-s për ta rikthyer Jensen Huang në postin e drejtuesit ekzekutiv. Vendimi erdhi pas zbulimit të lidhjes së tij me një kliente, për të cilën inteligjenca amerikane dyshon se është spiune kineze.
Edhe OpenAI është tronditur nga një çështje spiunazhi. Rastet ngrenë dyshime se gjigantët e teknologjisë mund të jenë rrezikshëm të papërgatitur për metodat klasike të spiunazhit që përdorin shtetet kundërshtare.
“Nëse sot punoni në pararojë të teknologjisë, gjeopolitika interesohet për ju, edhe nëse ju nuk interesoheni për gjeopolitikën”, u tha tre vjet më parë në Stanford Sir Ken McCallum, drejtori i përgjithshëm i MI5, shërbimit britanik të inteligjencës së brendshme, zyrtarëve qeveritarë, investitorëve dhe drejtuesve të kompanive teknologjike.
Dalja publike e McCallum dhe e homologëve të tij nga SHBA-ja, Australia, Zelanda e Re dhe Kanadaja u zhvillua më pak se një vit pasi OpenAI lançoi ChatGPT. Ai moment nisi një garë armatimi mes kompanive private për të ndërtuar sisteme të avancuara të inteligjencës artificiale.
Gara i ka çuar kompani të Silicon Valley, dikur të specializuara në fusha të ngushta, në qendër të një përballjeje globale për epërsi teknologjike. Në këtë përballje, sekretet tregtare janë bërë po aq të rëndësishme sa sekretet shtetërore dhe spiunazhi industrial ka marrë peshë gjeopolitike.
OpenAI u themelua si organizatë jofitimprurëse në vitin 2015, ndërsa Anthropic në vitin 2021. Të dyja ishin organizata kërkimore pa strategji biznesi dhe pa plane për të zhvilluar produkte. Asnjëra nuk e kishte të qartë se si do të siguronte të ardhura. Sot, pas ofertës publike fillestare më të madhe të regjistruar ndonjëherë, Anthropic vlen rreth 1.2 trilionë dollarë, ndërsa OpenAI është kompania më e vlefshme në botë ndër ato që nuk kuotohen në bursë.
Revolucioni i inteligjencës artificiale ka transformuar edhe Alphabet, kompaninë mëmë të Google. Dikur lider në reklamat digjitale, me një model biznesi që kërkonte relativisht pak asete fizike, Alphabet është bërë një nga zhvilluesit më të mëdhenj në botë të infrastrukturës së inteligjencës artificiale dhe të shërbimeve cloud. Në vetëm katër vjet, shpenzimet e saj kapitale janë gjashtëfishuar, duke arritur në 200 miliardë dollarë.
Glenn Chafetz, ish-oficer karriere në CIA dhe sot drejtues i 2430 Group, një institut kërkimor jopartiak që merret me spiunazhin e sponsorizuar nga shtetet, thotë se shpesh u jep kompanive teknologjike një paralajmërim të thjeshtë: “Po luani një lojë të re dhe as rregullat nuk ia dini.”
Këtë muaj, raportimet e Financial Times dhe të mediave të tjera zbuluan se Huang, një nga figurat më të njohura të industrisë, kishte pasur një lidhje intime me një grua që autoritetet amerikane e konsiderojnë bashkëpunëtore të inteligjencës kineze. Alice Huang kishte gjithashtu lidhje me një rrjet që kontrabandonte gjysmëpërçues të avancuar drejt Kinës kontinentale.
Të hënën, vetëm 11 ditë pasi Jensen Huang dha dorëheqjen si drejtues ekzekutiv, bordi i Nvidia-s njoftoi se kishte votuar unanimisht për rikthimin e tij. Bordi tha se kishte marrë udhëzime nga “nivelet e larta” të qeverisë amerikane, sipas të cilave rikthimi i Huang “nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka mbështetur drejtuesin e Nvidia-s. Të hënën, ai tha se bordi kishte marrë “vendimin e duhur dhe të përshtatshëm”. Përpara se rikthimi i Huang të nxiste rritjen e aksioneve, largimi i tij i kishte kushtuar Nvidia-s më shumë se 2.5 trilionë dollarë në vlerë tregu, duke tërhequr poshtë edhe indekset më të gjera të bursës.

Kurthi i dyshuar përmes një lidhjeje intime nxjerr në pah një problem të përhapur. Gjigantët e sotëm të teknologjisë janë të cenueshëm në shumë prej të njëjtave mënyra si institucionet shtetërore, ndërkohë që masat e tyre të sigurisë janë shumë më të kufizuara.
Fakti që Huang mund të ketë qenë kaq i ekspozuar ndaj një kurthi të tillë vë në pikëpyetje gjykimin e tij personal dhe nxjerr në pah se sa pak është përgatitur sektori i teknologjisë për rreziqet që shoqërojnë rritjen e fuqisë së tij.
Në gusht 2018, Apple u bë kompania e parë që arriti një vlerë tregu prej 1 trilion dollarësh. Sot, 15 kompani të kuotuara në bursë e kanë arritur këtë prag, mes tyre edhe laboratori i inteligjencës artificiale Anthropic. Kur Nvidia arriti kulmin muajin e kaluar, vetëm dy vende kishin një prodhim të brendshëm bruto më të madh se kapitalizimi i saj prej 5.8 trilionë dollarësh, Kina dhe Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, rreziqet që shoqërojnë suksesin e këtyre kompanive vazhdojnë të nënvlerësohen. Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti akuza ndaj një shtetasi rus, të cilin e akuzon se u përpoq të mbikëqyrte punonjësit e Palantir për të mbledhur materiale mbi kompaninë, e cila furnizon Ukrainën me mjete teknologjike. Muajin e kaluar, një shtetas saudit u arrestua dhe u akuzua se dyshohet të ketë vendosur një pajisje përgjimi në një sallë mbledhjesh të OpenAI, të përdorur shpesh nga drejtuesit e kompanisë.
Incidentet ilustrojnë kërcënimin për të cilin McCallum i paralajmëroi drejtuesit e teknologjisë tre vjet më parë. Ato nxjerrin në pah boshllëqet e sigurisë që mbeten në një kohë kur kompanitë e tyre janë kthyer në një shtyllë të ekonomisë amerikane.
“Po përpiqesh të vendosësh rregulla të qeverisjes së korporatës në një kulturë startup-i”, thotë Nuala O’Connor, ish-drejtuese në Amazon dhe ish-zyrtare e Departamentit amerikan të Sigurisë së Brendshme. “Bindja e përhapur është se ‘rregullat na ngadalësojnë’. Kjo e bën të vështirë. Por, duke pasur parasysh përmasat e këtyre kompanive, ato janë asete për vendin dhe për ekonominë botërore. Në një moment, dikush duhet të marrë seriozisht përgjegjësinë për drejtimin e tyre.”
Nga mjeshtrit e qelqit te prodhuesit e çipave
Kur Chafetz nisi karrierën në inteligjencë, institucionet amerikane të sigurisë kombëtare ishin ndërtuar për Luftën e Ftohtë. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ato u përshtatën për t’u përballur me terrorizmin.
“Tani jemi në një realitet krejt tjetër, të përcaktuar nga Kina”, thotë ai. “Kina po i bën luftë SHBA-së duke goditur sektorin e saj privat përmes sabotimit dhe ndikimit politik. Këtë po shohim tani me Nvidia-n.”
Kompanitë teknologjike e dinë se punojnë në pararojë të inovacionit, por shpesh nuk e kuptojnë sa të cenueshme janë. Kur Colin Reed, ish-analist i inteligjencës amerikane, iu bashkua Salesforce në vitin 2021 për ta ndihmuar kompaninë të menaxhonte rreziqet, priste të kishte burime thuajse të pakufizuara dhe të punonte “në vijën e parë të konkurrencës gjeopolitike”.
“Ajo që më mbeti më shumë në mendje ishte se deri në ç’pikë kompania nuk e kuptonte rolin e vet si aktore në skenën botërore… Kur flisja me drejtuesit, më thoshin: ‘Jo, ne nuk interesohemi fare për gjeopolitikën. Jemi këtu për të shitur shërbimet e Salesforce’”, thotë ai.
Salesforce nuk pranoi të komentonte.
Reed, sot drejtor i inteligjencës në Clock&Cloud, një kompani teknologjike me seli në Helsinki që merret me rreziqet gjeopolitike, shton se mbrojtja e sekreteve tregtare nga një kundërshtar i vendosur është një sfidë e vjetër. Ai kujton se në vitin 1291, Venediku i kufizoi mjeshtrit e qelqit në ishullin e Muranos, sepse e kuptonte se njerëzit që zotëronin një teknologji strategjike ishin objektiv me rëndësi.
“Në vitin 1848, Kompania e Indive Lindore dërgoi një botanist të maskuar si zyrtar perandorak për të vjedhur sekretet e prodhimit të çajit në Kinë”, shton ai.
Sot kanë ndryshuar përmasat, fusha dhe ndjeshmëria e projekteve që po zhvillohen. Megjithëse kompanitë e teknologjisë janë rritur ndjeshëm në pasuri dhe fuqi, rrallë u është dashur të përshtatin mënyrën si drejtohen dhe si funksionojnë.
Për pjesën më të madhe të 33 viteve të fundit, Nvidia njihej si një kompani e shkathët në fushën e grafikës, që prodhonte çipa për videolojëra. Ajo hyri në renditjen Fortune 500 vetëm në vitin 2017. Deri në vitin 2024, vlera e saj e kishte kaluar atë të Apple. Pavarësisht kësaj rritjeje, qeverisja e kompanisë ka ndryshuar fare pak, ashtu si përbërja e bordit që të hënën votoi unanimisht për rikthimin e Huang.
Themeluesi i Nvidia-s u largua fillimisht nga posti i drejtuesit ekzekutiv këtë muaj, pas raportimeve për lidhjen e tij me Alice Huang, ish-drejtuese e Megaspeed, një kompani me seli në Singapor dhe kliente e prodhuesit amerikan të çipave. Raportimet përmendën gjithashtu një lidhje me të paktën një punonjëse në varësi të tij në Nvidia.
Më herët, Huang kishte thënë se planifikonte të qëndronte në krye të kompanisë edhe për dy dekada.
Një ligj si Dodd-Frank për sektorin e teknologjisë?
Lidhja e Huang ka nxitur thirrje për rregulla më të rrepta, që të pasqyrojnë rëndësinë sistemike të kompanive kryesore të teknologjisë në SHBA.
Reforma e fundit e madhe e qeverisjes së korporatave në SHBA, ligji Dodd-Frank, zbatohej vetëm për bankat dhe disa institucione financiare. Kur ligji u miratua në vitin 2010, Nvidia vlente 5 miliardë dollarë. Vlera e JPMorgan ishte 30 herë më e madhe.
Dodd-Frank kërkoi ngritjen e komiteteve të rrezikut dhe vendosi “standarde më të larta” për bordet. Parimi ishte se, nëse falimentimi i një institucioni përbënte një problem për publikun, atëherë edhe mënyra si qeverisej ai institucion ishte çështje me interes publik.
Kur vlera e Nvidia-s në bursë kaloi vlerën e kombinuar të të gjitha bankave në SHBA dhe Kanada, kompania nuk u nënshtrohej standardeve të shtuara. Madje, ajo nuk kishte as një plan formal për pasardhësin e drejtuesit ekzekutiv.
David Shedd, ish-drejtues në detyrë i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në Pentagon, thotë se kompanive më të mëdha që operojnë në fusha të ndjeshme u duhen komitete formale të rrezikut, plane të detyrueshme për pasardhësit në drejtim dhe auditime të rrepta të jashtme, të cilat nuk mund të lihen në zgjedhjen e kompanisë.
“Kur një kompani grumbullon ndikim të krahasueshëm me atë të një shteti”, shton ai, “mekanizmat e zakonshëm të qeverisjes nuk mjaftojnë më.”
Në bordin e Nvidia-s bëjnë pjesë disa figura me përvojë të gjatë në industri. Tre prej tyre kanë shërbyer pa ndërprerje që përpara se kompania të listohej në bursë në vitin 1999.
Njëri është ish-drejtues marketingu në Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan. Një tjetër ka punuar 31 vjet në Taco Bell. Suzanne Nora Johnson, ish-nënkryetare e Goldman Sachs, iu bashkua bordit vetëm në korrik.
Harvey Jones, i emëruar së fundmi kryetar i bordit, luajti rol të rëndësishëm në largimin e përkohshëm të Huang këtë muaj. Ai ka qenë në bord që prej themelimit të kompanisë në vitin 1993.
Bashkëpunëtorët e hershëm e përshkruajnë Jones si një biznesmen të aftë, që “e njeh mirë nga brenda biznesin e teknologjisë”. Jashtë Nvidia-s, megjithatë, ai njihej relativisht pak. Asnjë nga anëtarët e bordit nuk ka qenë drejtues ekzekutiv i një kompanie të indeksit S&P 500. Asnjëri nuk ka bërë karrierë në qeveri, në mbrojtje apo në inteligjencë. Ky është një boshllëk i madh për një kompani që merrte rreth 25% të të ardhurave nga Kina përpara se Uashingtoni të vendoste kufizime të rrepta eksporti.
“Edhe po të tregohesh bujar, ky ishte ekipi i dytë”, thotë Chafetz.
Shedd e cilëson përbërjen e bordit “krejtësisht të papërshtatshme”. Sipas tij, rritja e shpejtë e aksioneve të Nvidia-s i pasuroi disa prej anëtarëve deri në pikën që u bënë miliarderë. Interesi i tyre financiar vë në pikëpyetje aftësinë për t’i kërkuar llogari Huang. Struktura e qeverisjes së kompanisë, shton ai, “ishte një katastrofë që pritej të ndodhte”.
Nvidia nuk pranoi të komentonte.
Javën e kaluar, Jones njoftoi se bordi kishte ngritur një komitet për mbikëqyrjen e sigurisë kombëtare dhe të kontrolleve të eksportit. Deri atëherë, Nvidia kishte vetëm komitete të përhershme për auditimin, shpërblimet, si dhe emërimet dhe qeverisjen e korporatës. Struktura ishte e njëjtë me atë të vitit 2004, kur Nvidia vlente 3.7 miliardë dollarë dhe ishte ende një kompani e vogël që prodhonte karta grafike për videolojëra.
Mungesa e një komiteti të rrezikut bëri që të kishte pak shqyrtim të brendshëm kur Nvidia hoqi Singaporin si kategori gjeografike nga raportimet e saj financiare vitin e kaluar. Ndryshimi iu atribua një metodologjie të re raportimi, që merrte për bazë vendin ku klienti ishte realisht i vendosur. Ai përkoi me ngritjen e pikëpyetjeve mbi marrëdhëniet tregtare të Nvidia-s me Megaspeed në rajon. Megaspeed ka mohuar çdo shkelje.
Përballja me realitetin
Ekspozimi i Nvidia-s ndaj spiunazhit është pjesë e një problemi më të gjerë. Kompanitë e inteligjencës artificiale po investojnë qindra miliardë dollarë në një teknologji që premton të transformojë jetën e përditshme dhe biznesin, ndërkohë që vazhdojnë të funksionojnë me zakonet e startup-eve të vogla.
Edhe SpaceX ka një bord me përvojë të kufizuar krahasuar me peshën gjeopolitike të kompanisë. Operacionet satelitore të Starlink janë thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës përballë Rusisë, ndërsa biznesi i lëshimeve hapësinore mbështetet kryesisht te NASA, Pentagoni dhe agjenci të tjera qeveritare. Në bordin e saj nuk ka asnjë ish-sekretar të Mbrojtjes, ish-drejtor të CIA-s apo gjeneral.
Një ish-drejtues i Meta-s vë në dyshim nëse “mund të flitet fare për siguri operacionale në ndonjërin prej laboratorëve të inteligjencës artificiale në San Francisko”. Sipas tij, në shumë raste kërkuesit e një laboratori “ndajnë banesën me një kërkues të një laboratori tjetër”.
Kompani të konsoliduara, si Apple dhe Meta, vendosin kufizime të rrepta për punonjësit në ambientet e punës. Lëvizja mes ndërtesave kufizohet dhe ekipet që punojnë në projekte të ndjeshme mbahen në ambiente të veçuara, për të parandaluar që informacioni tregtar të përfundojë te konkurrentët, aktorët e huaj kundërshtarë apo mediat, sipas disa personave në dijeni të çështjes.

Laboratori i Superinteligjencës i Meta-s ndodhet në të njëjtën ndërtesë në Menlo Park me drejtuesit e lartë, mes tyre Mark Zuckerberg. Hyrja është e kufizuar për të gjithë punonjësit e tjerë. Edhe zëvendëspresidentët e lartë duhet të marrin autorizim paraprak për të hyrë në atë pjesë të kompleksit të kompanisë.
“Një zyrtar me autorizim për të pasur qasje në informacione sekrete, mesatarisht, ka shumë më pak mundësi t’i shkaktojë dëm SHBA-së sesa një kërkues i vetëm i inteligjencës artificiale”, shton ish-drejtuesi i Meta-s.
Një incident i fundit me ish-inxhinierin e OpenAI dhe shtetasin saudit Abdulrahman Alfozan ka nxjerrë në pah dobësitë e sigurisë në zyrat e OpenAI dhe të laboratorëve të tjerë të inteligjencës artificiale.
Sipas një personi në dijeni të çështjes, Alfozan dyshohet se arriti të vendoste fshehurazi një pajisje përgjimi në një sallë që drejtuesit e përdornin për takime me klientët. Ekipi i sigurisë i kompanisë e zbuloi pajisjen e thjeshtë të regjistrimit, të mbështjellë me letër higjienike dhe të fshehur pas një televizori, gjatë një kontrolli rutinë dhe njoftoi FBI-në. Alfozan u arrestua në fillim të tetorit me akuza për përgjim të paligjshëm dhe mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit.
Prokurorët amerikanë thanë javën e kaluar se kishin siguruar rreth 160 orë regjistrime audio nga pajisjet e Alfozan, të cilat dyshojnë se janë regjistrime të takimeve të OpenAI.
Alfozan është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat. Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, avokatët e ish-inxhinierit kanë argumentuar se qeveria nuk ka paraqitur prova që ai të ketë vepruar për shërbimet saudite të inteligjencës. Ata e kanë përshkruar si “dikë që eksperimentonte me pajisje, tepër kureshtar dhe pa synime më keqdashëse”. Avokati i Alfozan nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Po javën e kaluar, Departamenti i Drejtësisë ngriti katër akuza ndaj shtetasit rus Igor D’iu për një skemë spiunimi ndaj punonjësve të Palantir. D’iu dyshohet se i ka ndjekur punonjësit dhe se është përpjekur t’u fotografojë ekranet e kompjuterëve në kafene pranë zyrës së kompanisë në Palo Alto.
Duke folur javën e kaluar në një konferencë të Semafor në Palo Alto, drejtuesi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, tha se incidenti me Alfozan pasqyronte një problem në rritje. Rivalët, tha ai, po “kërkojnë të fitojnë epërsi” duke përdorur metoda të paligjshme.
“Ne kemi jetuar prej kohësh me këtë realitet, me të cilin të tjerët po përballen tani papritur dhe shumë publikisht”, tha ai. “Jam i sigurt se ndonjëherë na kanë mashtruar. Jam i sigurt gjithashtu se siguria jonë operacionale dhe siguria në tërësi nuk kanë qenë të përkryera, por kemi pasur kohë të përshtatemi.”
Në gusht të vitit të kaluar, OpenAI emëroi Aristedes Mahairas në krye të sigurisë së korporatës në nivel global. Mahairas kishte punuar për afro 24 vjet në FBI, me përvojë në inteligjencën kibernetike dhe në luftën kundër terrorizmit.
Kompania ka rekrutuar edhe ish-punonjës të CIA-s, sipas një personi në dijeni të çështjes. Në disa pjesë të ndërtesave ka hapësira të rrethuara me panele të përkohshme për të kufizuar hyrjen e punonjësve dhe të vizitorëve, shton personi. Në zyra përdoren porta rrotulluese për të kontrolluar kalimin. Sallat private të takimeve dhe ato të hapura për vizitorët ndodhen në zona të ndryshme, me nivele të ndryshme kufizimi.
“E marrim seriozisht mbrojtjen e teknologjisë, të të dhënave dhe të njerëzve tanë dhe e konsiderojmë çështje me rëndësi kombëtare”, tha OpenAI në një deklaratë. Kompania shtoi se programi i saj i sigurisë synon të mbrojë nga një gamë kërcënimesh, “nga rreziqet e brendshme te kriminelët kibernetikë dhe shtetet”.
Pas përplasjes në bord në vitin 2023, kompania riorganizoi drejtimin e saj. Sot, në bord bëjnë pjesë gjenerali me katër yje në pension Paul Nakasone, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, dhe Paul Christiano, këshilltar i Qendrës së qeverisë amerikane për Standardet dhe Inovacionin në Inteligjencën Artificiale.
Rivalja e saj Anthropic, pavarësisht listimit në bursë javën e kaluar përmes një oferte publike fillestare rekord, ende ka një bord me pak përvojë në gjeopolitikë dhe kundërzbulim.
Megjithatë, vitin e kaluar Anthropic ngriti një këshill këshillimor për sigurinë kombëtare dhe sektorin publik. Në të bëjnë pjesë ish-senatori republikan Roy Blunt dhe David Cohen, i cili ka shërbyer dy herë si zëvendësdrejtor i CIA-s.
Sipas një personi në dijeni të çështjes, Anthropic ka rekrutuar gjithashtu njerëz nga shërbimet amerikane të inteligjencës për poste të niveleve më të ulëta, përfshirë pozicione që merren posaçërisht me rreziqet e brendshme dhe mbikëqyrin aktivitetet e punonjësve të kompanisë.
Në një dokument të paraqitur përpara listimit në bursë javën e kaluar, Anthropic u tha investitorëve se kishte qenë “objektiv i individëve që kërkonin të punësoheshin me identitete të rreme” për të marrë qasje në informacionin e mbrojtur të kompanisë. Ajo përmendi gjithashtu rrezikun që punonjësit e saj të “komprometoheshin pasi të na bashkoheshin”, për shkak të presionit nga aktorë të mbështetur nga shtete ose nga konkurrentë.
Në të njëjtin dokument, Anthropic i përshkroi të dhënat e brendshme dhe “peshat e modeleve”, parametrat që ndikojnë te rezultatet që prodhojnë mjetet e saj të inteligjencës artificiale, si “objektiva me vlerë veçanërisht të lartë për spiunazhin dhe vjedhjen e sponsorizuar nga shtetet”.
Anthropic i tha Financial Times se i trajton “kërcënimet nga shërbimet e huaja të inteligjencës si një rrezik serioz” dhe se zbaton “verifikim të rreptë të personelit, kontrolle të forta të qasjes dhe monitorim të rreziqeve të brendshme”.
Kur bota reale përballet me teknologjinë
Greg Levesque, drejtues ekzekutiv i kompanisë konsulente Strider Technologies, thotë se pretendimet që rrethojnë Huang duhet të shërbejnë si alarm për Silicon Valley. “Kompanitë më të mëdha teknologjike sot operojnë në përmasa të krahasueshme me shtetet dhe shërbimet e huaja të inteligjencës i vënë në shënjestër në të njëjtën mënyrë”, thotë ai. “Por ato nuk gëzojnë mbrojtjen që ka një shtet dhe shumë prej tyre nuk e shohin kërcënimin.”
Për disa dekada, kompanitë e teknologjisë kanë investuar miliarda dollarë në sigurinë kibernetike për të ndërtuar sisteme të sofistikuara mbrojtjeje kundër hakerëve. Shumë prej tyre kanë reaguar më ngadalë ndaj metodave më personale të shërbimeve të huaja të inteligjencës. Këto shërbime kërkojnë të shfrytëzojnë lidhjet personale, të krijojnë burime brenda kompanive dhe t’u afrohen drejtuesve e kërkuesve që kanë përgjegjësi për teknologjitë më të vlefshme.
Roderick Jones, kryetar ekzekutiv i kompanisë private të sigurisë Concentric, argumenton se shumë kompani ende nuk e kanë kuptuar se kundërzbulimi përbën një sfidë më vete, krahas sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes fizike. “Kam takuar shumë prej drejtuesve të gjigantëve të teknologjisë”, thotë ai, “dhe ngurrimi për ta trajtuar këtë temë është i plotë.”
Uashingtoni kërkon t’i kthejë kompanitë kryesore amerikane të inteligjencës artificiale në kampione kombëtare. Ai mbështetet te teknologjitë e tyre për të përballuar rivalitetin ekonomik dhe gjeopolitik me Kinën. Por perspektiva e një mbështetjeje më të madhe shtetërore ngre një pyetje të sikletshme: a mund të vazhdojnë kompanitë të vendosin vetë se si do t’i menaxhojnë kërcënimet?
Pak ekspertë të inteligjencës besojnë se gjigantët e teknologjisë do të ndryshojnë me vullnetin e tyre. Kur pyetet nëse rasti Huang mund ta shtyjë më në fund industrinë të rishikojë mënyrën si e trajton këtë rrezik, ish-oficeri i CIA-s, Chafetz, qesh lehtë.
“Shpresoj që të paktën disa nga kompanitë përkatëse të zgjohen dhe të kuptojnë se ky është një problem që mund t’i shkatërrojë”, thotë ai. “Por ato priren ta shohin sigurinë si një zë shpenzimesh.”
Për kompanitë tek të cilat Uashingtoni ka varur epërsinë teknologjike të SHBA-së, pasojat e një gabimi mund të shtrihen tashmë shumë përtej vetë kompanive./ Burimi: FT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









