Tre shqiptarë, Renato D., Ermal N. dhe Florian P., janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen si pjesëtarë të një grupi kriminal të specializuar në grabitjen e banesave. Sipas autoriteteve spanjolle, ata dyshohet se kanë kryer të paktën 17 vjedhje në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña, duke u dalluar për shpejtësinë dhe organizimin e tyre.

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit “Ziralla”, pas një hetimi të nisur nga Garda Civile më 30 tetor. Sipas mediave spanjolle, shqiptarët arrinin të përfundonin një grabitje në vetëm 10 minuta, duke përdorur pajisje të specializuara për të hyrë në banesa dhe për të identifikuar sendet me vlerë.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi targa të dyfishta, prerës hidraulikë dhe reagentë kimikë për të testuar pastërtinë e arit dhe diamanteve të vjedhura. Këto pajisje u mundësonin të përcaktonin me shpejtësi vlerën e sendeve të grabitura.

Për t’i shpëtuar policisë, tre shqiptarët përdornin një automjet me mbi 350 kuaj fuqi, të cilin dyshohet se e përdorën edhe për të përplasur makinat e efektivëve gjatë ndjekjeve. Ata ishin fshehur në një zonë të pyllëzuar në Pontevedra, ku flinin në çadër, ndërsa Garda Civile kishte dështuar t’i kapte në dy përpjekje të mëparshme.

Arrestimi përfundimtar u krye më 18 nëntor, në Vila de Cruces. Nënkoloneli Rafael Berguillo e cilësoi automjetin e tyre si një “armë prej pothuajse dy tonësh”, duke theksuar rrezikun që paraqisnin gjatë përballjeve me policinë. 

Tre të dyshuarit ndodhen tashmë në burg, ndërsa autoritetet spanjolle vijojnë hetimet, pasi nuk përjashtojnë mundësinë që grupit t'i atribuohen edhe grabitje të tjera.