Mbrojtja e Kadri Veselit përgatit apelin në Hagë: I është mohuar drejtësia
Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është në fazën përfundimtare të përgatitjes së njoftimit për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Njoftimi pritet të dorëzohet brenda afatit të përcaktuar, më 27 nëntor.
Avni Bytyçi, përfaqësues i ekipit mbrojtës të Veselit, ka konfirmuar për KosovaPress se mbrojtja është duke finalizuar dokumentin, në të cilin do të paraqiten bazat juridike dhe faktike mbi të cilat do të mbështetet ankimi.
“Po, Mbrojtja e z. Kadri Veseli është e gatshme të dorëzojë njoftimin për apel brenda afatit të përcaktuar. Aktualisht, Mbrojtja është në proces të finalizimit të njoftimit për apel, në të cilin do të përcaktohen në mënyrë të qartë dhe të strukturuar bazat juridike dhe faktike mbi të cilat do të mbështetet ankimi”, deklaroi Bytyçi.
Sipas mbrojtjes, provat e administruara gjatë procesit gjyqësor nuk përbëjnë bazë të arsyeshme për të mbështetur përfundimin se Veseli është fajtor. Ekipi mbrojtës pretendon gjithashtu se Trupi Gjykues ka gabuar në vlerësimin e provave dhe në konstatimet lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale nga ana e UÇK-së, si dhe përfshirjen e pretenduar të Veselit në të.
“Qëndrimi i Mbrojtjes mbetet se z. Veseli-t i është mohuar drejtësia. Provat e administruara në këtë çështje nuk ofrojnë bazë të arsyeshme për të mbështetur përfundimin për fajësinë e tij. Për më tepër, Trupi Gjykues ka dështuar në vlerësimin e paanshëm dhe të drejtë të provave, si dhe ka gabuar në konstatimet e tij lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale nga ana e UÇK-së dhe pretendimin për përfshirjen e z. Veseli në të. Këto dhe gabimet e tjera në aktgjykim do të paraqiten dhe argumentohen në kuadër të procedurës së apelit”, tha Bytyçi.
Afati për dorëzimin e njoftimeve për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfundon më 27 nëntor. Ky afat vlen si për ekipet mbrojtëse, ashtu edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pas dorëzimit të njoftimeve, palët do të kenë 60 ditë kohë për të paraqitur dosjet e plota të apelit, ku do të argumentojnë kundërshtimet ndaj vendimit të shkallës së parë.
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli me 18 vjet burgim, ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar. Pas shqyrtimit të argumenteve të palëve, Paneli i Apelit mund ta konfirmojë, ta ndryshojë ose ta rrëzojë vendimin.
Mbrojtja e Thaçit: Nuk pajtohemi me mënyrën se si Haga e llogariti paraburgimin, do ta apelojmë
Nesër protestë në Prishtinë për mbrojtjen e grave: Femicidi është urgjencë kombëtare
Vrasja e Arlinda Zekajt, arrestohen edhe 4 persona të tjerë! Mes tyre edhe ish-vjehrra e ish-kunati
- 14:51 Spiropali reagon pas përjashtimit nga grupi i PS: Flasim nesër
- 14:46 Ukraina këmbëngul se sulmi ndaj anijes ruse në Libi ishte për vetëmbrojtje
- 14:34 Katari kërkon rivendosjen e lundrimit në Hormuz dhe rikthimin e bisedimeve SHBA-Iran
- 14:31 OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët në 2025-ën
- 14:27 Grabitet rezidenca e pushimeve e Princit William në Angli, familja mbretërore nuk ndodhej në banesë
- 14:07 Mbrojtja e Thaçit: Nuk pajtohemi me mënyrën se si Haga e llogariti paraburgimin, do ta apelojmë