Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria propozon Fondin Kombëtar për Artin, financimi do të vijë nga kursimet e tenderave publikë


Qeveria propozon krijimin e Fondit Kombëtar për Artin, një mekanizëm të posaçëm financiar që do të përdoret për blerjen, ruajtjen, restaurimin dhe rikthimin në Shqipëri të veprave të artit me vlera të veçanta historike dhe kulturore.

Projektligji u shqyrtua sot në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku nuk pati kundërshtime ndaj nismës.

Fondi synon t’u mundësojë institucioneve publike blerjen e veprave të artit me rëndësi kombëtare, rikthimin në Shqipëri të veprave që ndodhen jashtë vendit, si dhe mirëmbajtjen dhe restaurimin e koleksioneve publike.

Zëvendësministrja e Kulturës, Lira Pipa, u shpreh se projektligji synon të krijojë një instrument financiar që do t’u japë institucioneve mundësi të sigurojnë vepra me rëndësi për identitetin dhe kujtesën kombëtare.

“Përmes këtij projektligji synohet që vepra me rëndësi për identitetin dhe kujtesën tonë kombëtare të mos mbeten jashtë mundësive të institucioneve publike për shkak të mungesës së një instrumenti të përshtatshëm financiar”, tha Pipa.

Fondi do të financohet kryesisht nga kursimet e krijuara prej prokurimeve publike, të cilat do të verifikohen nga Ministria e Financave. Shuma që do të alokohet nuk mund të kalojë 10% të këtyre kursimeve, ndërsa financimi konkret do të përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave.

Përveç këtij burimi, fondi mund të përfitojë edhe nga donacione, sponsorizime dhe grante.

Për përzgjedhjen e veprave që do të financohen, parashikohet ngritja e një komisioni me tre deri në shtatë ekspertë të fushave të artit, historisë, muzeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.

Gjatë diskutimit në komision, deputeti Piro Dhima ngriti shqetësimin për mundësinë e përdorimit të tregut të artit për pastrimin e parave dhe për rrezikun e mbivlerësimit të veprave gjatë blerjeve.

Ai kërkoi sqarime mbi mekanizmat që do të garantojnë kontrollin e burimit të ligjshëm të të ardhurave, në rastet kur blihen vepra me vlera të konsiderueshme.

“Veprat e artit mund të blihen ose përfitohen nga një individ dhe person fizik ose juridik, vendas ose i huaj. Duke pasur parasysh rrezikun që veprat e artit të përdoren për pastrimin e parave me origjinë kriminale, çfarë mekanizmash parashikohen për të kontrolluar, në rastin e veprave me vlera të konsiderueshme, burimin e ligjshmërisë së të ardhurave”, tha Dhima.

Zëvendësministrja Pipa deklaroi se projektligji parashikon mekanizma për të shmangur situata të tilla, duke kërkuar dokumentacion të qartë dhe certifikata pronësie për veprat që do të propozohen për blerje.

“Duhet të ketë dokumente, certifikata pronësie shumë të qarta. Të gjitha propozimet për blerjen e këtyre veprave duhet të kualifikohen përmes dokumentacionit dhe certifikimit”, u shpreh ajo.

Përmes Fondit Kombëtar për Artin synohet gjithashtu krijimi i koleksioneve të reja, hapja e muzeve dhe ekspozimi i pasurive artistike në institucione të ndryshme, me qëllim zgjerimin e aksesit të publikut në art dhe trashëgimi kulturore, edhe jashtë kryeqytetit.