Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Kongresit të ri amerikan për të kërkuar rritjen e presionit ndaj Rusisë, nëse presidenti amerikan Donald Trump nuk arrin ta bindë Vladimir Putinin t’i japë fund luftës deri në fund të vitit 2026.
Në një intervistë për Bloomberg, të zhvilluar Zelensky tha se Ukraina do të kërkojë një paketë të fuqishme ndihme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, si dhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Moskës, në rast se nuk arrihet një marrëveshje paqeje e pranueshme për Kievin.
“Duhet të ketë një nivel të tillë mbështetjeje për Ukrainën dhe sanksione të tilla që t’u dërgojnë një sinjal të qartë rusëve”, deklaroi Zelensky, duke shtuar: “Është koha të ulemi në tryezën e negociatave dhe t’i japim fund luftës.”
Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor, të cilat i dhanë demokratëve shumicën si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kur Kongresi i ri të nisë punën në janar.
Zelensky duket se synon të shfrytëzojë këtë ndryshim të balancave politike në Uashington për të shtuar presionin ndaj Rusisë dhe për të siguruar mbështetjen e mëtejshme amerikane për Ukrainën.
Ndërkohë, të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff po ushtrojnë presion për arritjen e një marrëveshjeje paqeje sa më shpejt të jetë e mundur, idealisht deri në janar, bëri të ditur Zelensky.
Megjithatë, presidenti ukrainas paralajmëroi se vendi i tij rrezikon të përballet me kërkesa për lëshime të rëndësishme, ndërsa Vladimir Putin nuk ka dhënë shenja gatishmërie për t'i dhënë fund luftës.
“Ekziston dëshira për të vepruar shumë shpejt, si ne ashtu edhe rusët e kuptojmë këtë. E kuptojmë se cili mund të jetë çmimi. Edhe ne duam shumë paqe, por jo vetëm në kurriz të Ukrainës”, u shpreh Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi kështu se Kievi është i interesuar për përfundimin e luftës, por kundërshton një marrëveshje që do të kërkonte lëshime të njëanshme nga Ukraina.





Komente
Komento