Viktima e të plagosur në Ukrainë, Rusia sulme në Zaporizhia, mes të vrarëve edhe fëmijë

Dy persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë plagosur, mes tyre katër fëmijë, nga sulmet ruse gjatë natës në qytetin e Zaporizhzhias. Goditjet dëmtuan ndërtesa banimi, infrastrukturën e transportit dhe automjete, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes rrënojave, pasi dyshohet se persona të tjerë mund të kenë mbetur të bllokuar.
Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia po përgatit sulme të tjera dhe u kërkon aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
“Inteligjenca jonë ka informacion për përgatitjet e rusëve për sulme të reja. Ju lutemi, përgjigjuni alarmeve për sulme ajrore dhe kërcënime me raketa dhe qëndroni të sigurt. Është e rëndësishme që sinjale të tilla të merren parasysh edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, vendimet e të cilave ndikojnë në furnizimin me sisteme mbrojtëse nga raketat balistike për të mbrojtur qytetet dhe infrastrukturën tonë.”, presidenti Volodymyr Zelensky.
Por shqetësimi përshkon edhe kufijtë e Ukrainës. Ushtria polake njoftoi se një dron rus ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë gjatë sulmeve ruse në Ukrainën perëndimore. Sistemet polake të mbrojtjes ajrore e gjurmuan objektin dhe fillimisht u autorizua rrëzimi i tij. Megjithatë, pasi droni ndryshoi drejtim dhe u kthye nga lindja, autoritetet vendosën të mos hapnin zjarr, për të shmangur rrezikun për civilët nga mbetjet e mundshme.
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, deklaroi se incidenti vështirë se mund të konsiderohet rastësi, duke ngritur dyshime për një veprim të qëllimshëm.
Ky veprim vjen vetëm pak ditë pasi tre raketa ruse të tipit Kh-101 përfunduan në territorin polak, duke shtuar frikën për përhapjen e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO pritet të forcojë mbikëqyrjen ajrore në Poloni, ndërsa lufta vijon të kërcënojë sigurinë e gjithë rajonit.




