Dy persona janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se kanë hyrë në rezidencën verore të Princit William dhe bashkëshortes së tij, Kate Middleton, në pronën mbretërore Sandringham.

Ngjarja u regjistrua të hënën pasdite rreth orës 18:00, kur policia e Norfolkut mori një telefonatë për aktivitet të dyshimtë në pronë. Menjëherë u organizua një operacion kërkimi, ku u angazhuan qen të trajnuar posaçërisht, dronë dhe një helikopter. Gjatë ndërhyrjes, efektivët lokalizuan dhe arrestuan dy burra brenda territorit të rezidencës. Të dy vijojnë të mbahen në paraburgim.

Policia bëri të ditur se në momentin e incidentit nuk ndodhej askush në banesë. Ndërkohë, Pallati Kensington ka refuzuar të komentojë ngjarjen, duke iu referuar çështjeve të sigurisë, shkruan BBC.

Rezidenca në fjalë është Anmer Hall, një vilë me dhjetë dhoma gjumi, të cilën çifti mbretëror e përdor kryesisht gjatë pushimeve. Ajo iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Banesa e tyre kryesore ndodhet në pronën e Kështjellës Windsor, në Berkshire të Britanisë së Madhe.

Foto: Rezidenca e Kate Middleton dhe Princ William