Doha reagoi të martën ndaj vendimit të Iranit për të thirrur të ngarkuarin me punë të Katarit në Teheran lidhur me një deklaratë të përbashkët me Gjermaninë, duke thënë se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes diplomacisë.
“Ne nuk do të pranojmë asnjë sulm ndaj vendit tonë, pavarësisht formës që ato marrin”, tha Majed Al Ansari, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit në konferencë për mediat, në Doha.
Më tej, Al Ansari e përshkroi Iranin si një fuqi të madhe rajonale, duke treguar lidhjet e gjata tregtare dhe kulturore të vendeve.
“Por në të njëjtën kohë, ne theksojmë se zgjidhjet diplomatike janë e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj krize”, shtoi ai.
Kujtojmë se këto komente vijnë pas njoftimit të bërë në mënyrë të papritur nga Irani këtë të hënë. Irani thirri të ngarkuarin me punë të Katarit në Teheran, për të protestuar kundër deklaratës së përbashkët të lëshuar të shtunën në Doha dhe Berlini gjatë vizitës shtetërore të Emir Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani në Gjermani.
Deklarata e publikuar nga Ministria e Jashtme e Katarit, dënoi sulmet e Iranit ndaj Katarit dhe vendeve të tjera të rajonit. Ai i ka përshkruar si “shkelje flagrante” të sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare. Ministria në fjalë i bëri thirrje Iranit të bashkëpunojë plotësisht me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së.










