Meta po prezanton një funksion të ri të provës virtuale të veshjeve në Muse, agjentin e saj personal të blerjeve me inteligjencë artificiale, të lançuar në muajin shtator. Funksioni i ri, i njoftuar në platformën X nga Alexandr Wang, drejtuesi i inteligjencës artificiale në Meta, do t'u mundësojë përdoruesve të shohin paraprakisht, përmes imazheve të krijuara nga AI, se si mund t'u duken veshjet përpara se t'i blejnë.
“T'i provosh rrobat fizikisht? Sikur të ishte ende e nevojshme…”, shkroi Wang në X, duke iu referuar filmit të njohur të vitit 1995, Clueless.
Muse tashmë mund të ndihmojë përdoruesit të zbulojnë produkte, të ndjekin procesin e pagesës dhe të kryejnë blerje në emër të tyre, gjithmonë me miratimin e tyre.
Shtimi i provës virtuale e afron Meta-n edhe më shumë drejt kontrollit të të gjithë procesit të blerjeve, nga momenti i frymëzimit dhe kërkimit të produkteve, deri te blerja përfundimtare.
Megjithatë, kjo teknologji ngre edhe disa pikëpyetje, veçanërisht sa i përket saktësisë së imazheve të veshjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe sasisë së të dhënave personale që konsumatorët janë të gatshëm të ndajnë për të përfituar nga ky funksion.





Komente
Komento