Serbia me shumë gjasë nuk do ta harmonizojë qëndrimin e saj me deklaratën përfundimtare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që mbahet më 25 nëntor në Bruksel, pasi ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupic, ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në takim. REL thotë se zyrtarë të Bashkimi Europian e kanë cilësuar mungesën e tij si të kuptueshme, duke pasur parasysh tranzicionin politik në Serbi, ndërsa kanë shprehur optimizëm për bashkëpunimin me udhëheqjen e re në Beograd. Në deklaratën përfundimtare të samitit pritet të theksohet se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i genocidit dhe revizionizmi historik janë të papajtueshme me vlerat e bllokut. Gjithashtu, vendeve të rajonit do t'u kërkohet respektimi i viktimave dhe i vendimeve të gjykatave për krimet e luftës. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, ka zhvilluar një bisedë me Çupicin, gjatë së cilës është rënë dakord që të takohen në një mundësi të ardhshme për të diskutuar integrimin europian të Serbisë, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Brukseli pret nga autoritetet e reja serbe përparim në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Një tjetër kërkesë kyçe mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Europian nuk planifikon takime të nivelit të lartë pa u formuar institucionet e reja në Beograd. Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim, por fillimisht kërkohen partnerë institucionalë të qëndrueshëm.