Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen si pjesëtarë të një grupi kriminal të organizuar, i cili dyshohet se ka kryer 17 grabitje në banesa në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.
Operacioni i koduar “Ziralla” u zhvillua nga Garda Civile spanjolle, e cila arriti të shkatërrojë grupin pas disa javësh hetimesh. Të arrestuarit janë identifikuar si Renato D., Ermal N. dhe Florian P., të tre me shtetësi shqiptare, të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Sipas mediave spanjolle, grupi kriminal kishte një mënyrë të organizuar veprimi, duke arritur të kryente grabitjet në banesa brenda vetëm 10 minutash. Autorët përzgjidhnin banesa ku kishin verifikuar paraprakisht se nuk kishte njerëz brenda dhe vepronin me shpejtësi për të marrë sende me vlerë.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan mjete të posaçme për hapjen me forcë të dyerve dhe hyrjeve, përfshirë gërshërë hidraulike, si dhe pajisje kimike që shërbenin për të verifikuar pastërtinë e arit dhe diamanteve të vjedhura. Gjithashtu, ata përdornin targa të modifikuara për të vështirësuar identifikimin dhe gjurmimin e automjeteve.
Hetimet nisën më 30 tetor, pasi në provincën Ourense u konstatuan disa grabitje. Gjashtë prej tyre u regjistruan në zona të ndryshme, përfshirë A Merca, Allariz, Celanova, Barbadás, Coles dhe Vilamarín. Në total, grupit i atribuohen deri më tani 17 grabitje në tri provincat spanjolle.











