Një 13-vjeçare nga Shkodra, e cila ishte larguar nga banesa dhe kishte humbur kontaktet me familjen, është gjetur në Tiranë pas disa ditësh kërkimesh.
Rasti ka marrë përmasa të rënda, pasi nga hetimet paraprake dyshohet se e mitura është abuzuar seksualisht nga disa persona në qytete të ndryshme të vendit.
Sipas rapotimeve në media, vajza është me origjinë shqiptaro-amerikane. Ajo ishte larguar nga shkolla në Shkodër pa hyrë në mësim dhe kishte udhëtuar drejt Tiranës me autobus. Më pas, gjatë ditëve në vijim, dyshohet se ka lëvizur edhe në qytete të tjera, përfshirë Fierin, Gjirokastrën, Vlorën, Durrësin dhe Burrelin.
Pas disa ditësh kërkimesh, 13-vjeçarja u gjet në Tiranë në gjendje të rënduar psikologjike. Sipas të dhënave të bëra publike, ekzaminimet mjekësore, dëshmia e të miturës dhe provat e mbledhura nga grupi hetimor kanë ngritur dyshime për abuzim seksual nga persona të ndryshëm.
Deri më tani, raportohet se katër shtetas janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Dyshohet se numri i personave të përfshirë mund të jetë shtatë ose më shumë. Në disa raste, sipas hetimeve paraprake, personat e dyshuar mund t’i kenë dhënë para të miturës.
Aktualisht, e mitura, identiteti i të cilës nuk bëhet publik, ndodhet në një qendër sociale në Tiranë.
Hetuesit po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave që dyshohet se kanë abuzuar me të miturën, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.













