Pak kohë pasi qeveria shqiptare miratoi hapjen e Konsullatës Serbe në Shkodër, një grup qytetarësh serbë nga Vojvodina kanë kryer homazhe në varrezat katolike të Rrmajit. Homazhet janë zhvilluar nën pretendimin se në këto varreza gjenden eshtrat e 156 ushtarëve serbë, të cilët kanë rënë gjatë luftrave ballkanike. Ky pelegrinazh ka ngjallur reagim të fortë të klerikut Dom Nikë Ukgjini, i cili e ka cilësuar si skandal ngjarjen. Serbët kanë kryer homazhe në momorialin kushtuar gjeneralit austro-hungarez Eduard Kreuzing dhe kujtesës së luftës së Parë Botërore.
Një skandal është regjistruar në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër, teksa një grup vizitorësh nga Vojvodina e Serbisë ka zhvilluar një pelegrinazh për të nderuar 156 ushtarë serbë, duke i cilësuar si viktima të “Golgotës Shqiptare”.
Golgota për serbët njihet si tërheqja e trupave serbe në Luftën e Parë Botërore në vitin 1915 drejt Shqipërisë pas pushtimit nga austro-hungaria. Asokohe, Shkodra ishte nën rrethimin malazez kur serbët nisën tërheqjen drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar kapitullimit nga austro-hungarezët. Me kurora lulesh dhe fjalime për vuajtjet e ushtarëve të tyre, ata kanë përkujtuar në tokën shqiptare në Shkodër pjesëtarë të ushtrisë serbe, ndërkohë që kjo ushtri në trojet shqiptare mbart plotësisht kapituj të errët pushtimesh dhe masakrash nga më të rëndat që historia ka njohur.
Studiuesi dhe kleriku shqiptar Dom Nikë Ukgjini e cilëson skandaloze këtë peligrinazh të serbëve të Vojvodinës duke e kundërshtuar me forcë. Ukgjini thotë se nuk mund të quhet Golgotë në një kohë që serbo-malazezët si pushtues i krijuan shumë vuajtje shqiptarëve dhe se në varrezat katolike të Shkodrës sipas tij nuk ka serb të Luftës së Parë Botërore të varrosur aty sepse ende ato varreza nuk ishin ndërtuar.
"Është moment skandaloz’. Me çfarë qëllimi vijnë ata. Ata gjithherë me ato lloj ëndrrash kanë ushqyer dhe gjeneratat e reja. Kur Austro hungaria u d ha ultimatum që duhet të lëshojnë Shqipërinë ata shkaktuan viktima të shumta duke u tërhequr nga ky vend. Cila është golgota? Ata që mbrojnë shtëpinë apo ata që sulmojnë? Ata vazhdimisht janë munduar ta deformojnë historinë, e të paraqiten në konferencë ndërkombëtare se kanë qenë tokat e tyre.
Unë shoh dobësinë e shtetit shqiptar se organizime të kësaj natyre tek këto monumente culture duhet të jenë me procedurë. Nuk mund të shkosh në shirq të fotografohen duke pretenduar se kanë pasur mbretërit e tyre serbët. Ata ishin pushtues; thotë Ukgjini.
Ukgjini kërkon që varrezat katolike të Shkodrës të mbyllen dhe të mos lejohet që të hyjnë persona të paautorizuar si në rastin e serbëve të Vojvodinës ndërsa bën thirrje që shteti shqiptar të reagojë ndaj kësaj vizite të papranueshme serbe.
Në Shkodër nuk është hera e parë ku bëhen tentativa të tilla për të nderuar ushtarët serb dhe për t'i trajtuar ata si viktima.
© SYRI.net