BE dhe NATO në alarm nga kërcënimi rus, Rutte paralajmëron: Ata po na testojnë, nëse nuk reagojmë do të rrisin presionin
Komponentë elektronikë amerikanë dhe evropianë, të prodhuar vetëm pak muaj më parë, janë zbuluar në dronët rusë të përdorur në sulmet kundër Ukrainës.
Gjetjet tregojnë se Moska vazhdon të sigurojë teknologji perëndimore, pavarësisht sanksioneve të vendosura prej më shumë se katër vitesh nga SHBA-ja dhe vendet evropiane.
Sipas një hetimi të publikuar nga gazeta ukrainase “Kyiv Independent”, pjesë të prodhuara në vitin 2026 janë gjetur në një dron sulmues rus të tipit Geran-4, i cili u rrëzua në rajonin e Kievit në mesin e gushtit.
Të dhënat, të mbështetura në një raport të shërbimeve të inteligjencës ukrainase, zbulojnë se droni ishte prodhuar në Zonën Ekonomike Speciale të Alabugës në Rusi dhe përmbante pothuajse 100 komponentë të prodhimit të huaj.
Ajo që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e hetuesve është fakti se disa prej këtyre pjesëve ishin prodhuar vetëm disa muaj përpara se të përdoreshin në armët ruse.
Komponentë të prodhuar në SHBA dhe Evropë, pavarësisht sanksioneve
Nga 12 komponentët për të cilët u identifikuan kodet e prodhimit, shtatë ishin prodhuar në vitin 2026, tre në vitin 2025 dhe dy në vitin 2024.
Mes kompanive prodhuesе të identifikuara janë:
– CTS Corporation (SHBA): Ka prodhuar çipa kohëzues, me data prodhimi në janar, shkurt dhe mars 2026.
– Vishay Intertechnology (SHBA): Një diodë fuqie e prodhuar në mesin e shkurtit 2026 u gjet në dron.
– STMicroelectronics (Zvicër/Francë-Itali): Një mikrokontrollues i prodhuar në fillim të shkurtit 2026, i montuar dhe testuar në Malajzi.
Në përgjigjet e tyre për “Kyiv Independent”, STMicroelectronics dhe Vishay Intertechnology deklaruan se kanë pezulluar operacionet dhe dërgesat drejt Rusisë që prej vitit 2022 dhe se zbatojnë programe të rrepta për respektimin e sanksioneve. Të dyja kompanitë nuk dhanë shpjegime se si komponentët e tyre përfunduan në duart e ushtrisë ruse.

Ndërkohë, CTS Corporation nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Kartat SIM lituaneze përdoren në dronët rusë
Një tjetër raport i inteligjencës ukrainase ka zbuluar një mekanizëm të ngjashëm, këtë herë përmes përdorimit të kartave SIM evropiane.
Në tetë dronë rusë të zbuluar gjatë vitit 2025 janë gjetur karta SIM të kompanisë lituaneze të telefonisë celulare Pildyk, një degë e operatorit Tele2 Lietuva.
Sipas Jonas Oman, përfaqësues i organizatës joqeveritare Blue/Yellow, e cila mbështet Ukrainën, këto karta u mundësojnë dronëve të transmetojnë vendndodhjen dhe të dërgojnë imazhe, duke funksionuar në thelb si telefona celularë fluturues.
Përdorimi i kartave SIM evropiane e vështirëson gjithashtu identifikimin dhe gjurmimin e dronëve nga forcat ukrainase, pasi sinjalet e tyre mund të ngatërrohen me aktivitetin e zakonshëm të telefonave celularë.
Sipas Tele2 Lietuva, kartat ishin blerë dhe aktivizuar gjatë vitit 2024, përpara se Lituania të vendoste identifikimin e detyrueshëm të përdoruesve të kartave SIM, më 1 janar 2025.
Linas Marcinkevicius, drejtues i kontrollit të riskut në kompani, tha se rrjete të organizuara blejnë dhe aktivizojnë karta anonime, të cilat më pas i rishesin te mashtruesit, kontrabandistët dhe, në fund, te agjentët e shteteve armike.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian theksoi se eksporti i kartave SIM drejt Rusisë është i ndaluar, por problemi qëndron te devijimi i tyre dhe rishitja në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, regjistrimi i detyrueshëm i identitetit të përdoruesve është kompetencë kombëtare dhe nuk zbatohet në të gjitha vendet anëtare.
Ukraina ka identifikuar mbi 16 mijë komponentë të huaj në armët ruse
Problemi duket shumë më i gjerë sesa rastet e fundit. Që prej fillimit të pushtimit rus, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka identifikuar më shumë se 16 mijë komponentë të huaj në dronë dhe raketa ruse, të ardhur nga mbi 30 vende të ndryshme.
Autoritetet ukrainase kanë dërguar gjithashtu 28 kërkesa për ndihmë ligjore jashtë vendit, në përpjekje për të zbuluar rrjetet që mundësojnë furnizimin e Rusisë me teknologji të huaj.
Në shtator, i dërguari special i presidentit ukrainas për sanksionet, Vladislav Vlasyuk, raportoi se në një dron rus Geran-5 të rrëzuar ishte gjetur një tranzistor evropian i prodhuar në shkurt 2026, vetëm shtatë muaj përpara zbulimit të tij.
Kievi nuk i akuzon drejtpërdrejt kompanitë perëndimore për shitjen e këtyre produkteve te Rusia, por thekson se komponentët arrijnë në duart e Moskës përmes rrjeteve të ndërmjetësve dhe kompanive fasadë, shpesh në tre ose katër hallka të ndryshme tregtare.
Vlasyuk kërkon kontrolle më të rrepta mbi zinxhirët e furnizimit, ndjekje penale ndaj ndërmjetësve dhe përgjegjësi më të madhe të prodhuesve për identifikimin e përdoruesve përfundimtarë.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të gjurmuar transaksionet financiare përmes të cilave paguhen këto produkte, duke nënvizuar se pas çdo komponenti që përfundon në Rusi qëndron një pagesë e përpunuar nga sistemi bankar.
Zbulimet e fundit ngrenë pikëpyetje të reja mbi efektivitetin e sanksioneve perëndimore dhe aftësinë e Rusisë për të siguruar teknologji moderne për industrinë e saj ushtarake, pavarësisht kufizimeve ndërkombëtare.
Top Channel