Dyshohet se ndikuan në vendime gjyqësore dhe punësime, ndalohen tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj e Gjakovë
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar të martën një aksion në dy lokacione në rajonin e Ferizajt, në kuadër të hetimeve për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit, pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë të gjatë.
Tre persona të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë pasur pozita dhe role të ndryshme zyrtare si zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe një avokat, dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, në bashkëkryerje.
Sipas Policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje të punësimit.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuteri dhe dokumentacion relevant për hetime.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ndaluar për 48 orë.















