Kryeministri Edi Rama ka njoftuar dy zhvillime të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit me Italinë për modernizimin e sistemit shëndetësor shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar në Milano një marrëveshje bashkëpunimi me Policlinico di Milano, e cila synon transferimin e ekspertizës, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, si dhe avancimin e kërkimit shkencor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Një tjetër zhvillim lidhet me bashkëpunimin me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Itali, me të cilin është dakordësuar plani i përbashkët për nisjen e funksionimit të Institutit Kombëtar të Onkologjisë në Shqipëri, duke filluar nga janari i vitit 2027.
Këto marrëveshje synojnë forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor shqiptar përmes ekspertizës italiane, modernizimit të shërbimeve spitalore dhe zhvillimit të kujdesit të specializuar onkologjik.