E ftuar në një intervistë në SYRI TV, Kryetarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Julinda Emiri, deklaroi se qeveria teknike është e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Emiri u shpreh se me Edi Ramën nuk ka pasur zgjedhje të vërteta, pasi kryeministri përdor mekanizmat shtetërorë për të mbajtur pushtetin me forcë.
Emiri u ndal edhe te rëndësia e bashkimit të opozitës dhe qytetarëve në protesta, duke kujtuar protestën për Teatrin Kombëtar dhe atë të studentëve.
Ajo theksoi se kauzat e përbashkëta kërkojnë bashkim dhe jo përçarje, duke nënvizuar se ky nuk është momenti për ndasi, por për një front të përbashkët kundër qeverisë Rama.
Pjesë nga intervista:
Ajo që ne na mbetet të bëjmë është të gjejmë të gjitha mënyrat për të luftuar. Më pëlqen që e kape nga teatri, se më duket ndonjëherë harrohet me këto ngjarje që ndodhin kaq shpesh në Shqipëri, se këtu, për fat, kemi ngjarje çdo ditë. Rama u shfaq me fytyrën e vet aq hapur. Ka shumë ngjashmëri edhe me protestën e studentëve dhe me akumulimin e përgjithshëm. Në atë moment ka pasur një akumulim shumë të fuqishëm të shqiptarëve.
Por ajo që mendoj se duhet të bëjmë ne në raport me të kaluarën është të mësojmë nga gabimet. Janë sigurisht edhe zgjedhjet e vitit 2019, të cilat janë bojkotuar. Madje thuhet shpesh për PD-në se si do të shkojë në zgjedhje, kur këtej thotë qeveri teknike, këtej thotë që me Ramën s'ka zgjidhje. Por e vërteta është që me Ramën s'ka pasur zgjedhje deri tani dhe qeveria teknike është e vetmja mënyrë për të garantuar një çlirim nga të gjithë mekanizmat që Rama përdor për të mbajtur pushtetin me forcë.
Por, nëse nuk arrihet qeveria teknike, as bojkotimin e kemi vërtetuar që nuk është zgjidhje, kështu që në zgjedhje duhet shkuar dhe luftuar me çdo mjet. Një vend tjetër ku ka hapësirë për të mësuar nga e kaluara janë edhe protestat. Protestat e studentëve i mbaj mend që nisën me një vrull shumë të madh, se kishte fuqi, ashtu si edhe teatri. Këtu të gjitha protestat nisin me një vrull shumë të madh, por pastaj njerëzit fillojnë e ndahen nga qëllimet, mendoj unë.
Protesta e studentëve filloi me një vrull shumë të madh, që kishte fuqi kundrejt Ramës. Edhe ne të teatrit i ftonim që të gjithë të bashkoheshin, jo se donim t'ua merrnim protestën, por ata nuk pranonin të bashkoheshin me asnjë. Kishin këtë sloganin: “Pa parti politike”. Dhe po ta vini re, kur thuhet “jo politike”, nënkuptohet gjithmonë Partia Demokratike; këto partitë e tjera nuk quhen.
Nga ajo që unë kam kuptuar, këtë term “jo parti, jo politike” e nxjerrin gjithmonë partitë e vogla. I atashohen gjithmonë protestave të mëdha për të marrë kreditet, por duan gjithmonë të eliminojnë PD-në. Nxjerrin këtë termin “jo parti”. Kjo ka sjellë dështimin e protestës së studentëve. Thelbi është që nuk është momenti për përçarje, por të jemi të gjithë bashkë për të njëjtin qëllim
© SYRI.net