Një incident shqetësues në orbitë ka ngritur alarmin në Uashington dhe ka nxjerrë në pah dobësitë e Evropës në monitorimin e hapësirës.
Sateliti rus Kosmos-2612 iu afrua vetëm disa qindra metra një sateliti amerikan X36, në një manovër që shkaktoi reagimin e autoriteteve amerikane.
Ngjarjen e bëri publike Rafal Mondrzewski, bashkëthemelues i kompanisë finlandeze Iceye, i cili e përshkroi situatën me fjalët: “Ka një luftë në hapësirë”.
Sateliti X36, në pronësi të degës amerikane të Iceye, vijon të jetë aktiv dhe të ofrojë shërbime për klientët e kompanisë. Ndërkohë, Mondrzewski nuk pranoi të spekulonte mbi qëllimet e manovrës ruse.
Shtetet e Bashkuara reaguan ashpër ndaj incidentit, duke e kritikuar lëvizjen e Moskës përmes deklaratave publike dhe një komunikimi zyrtar në Kombet e Bashkuara.
Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me veprimet ruse. Sipas drejtuesit të Iceye, ngjarja ekspozoi mungesën e një sistemi të përbashkët dhe efikas evropian për monitorimin e aktiviteteve në orbitë. Kompania mësoi për afrimin e rrezikshëm të satelitit rus përmes burimeve të jashtme, pasi Evropa nuk disponon ende kapacitete të konsoliduara mbikëqyrjeje.
Mondrzewski u bëri thirrje vendeve evropiane të investojnë në zhvillimin e satelitëve të aftë për t’iu përgjigjur kërcënimeve në hapësirë. Ai paralajmëroi se, në mungesë të një nisme të përbashkët evropiane, Iceye do të vijojë me zhvillimin e zgjidhjeve të veta.
Sipas tij, qeveritë evropiane po e nënvlerësojnë ritmin e ndryshimeve në teknologjinë ushtarake, ndërsa një afat pesëvjeçar për të reaguar mund të jetë tepër i gjatë përballë kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi.
