Një ngjarje e pazakontë ka ndryshuar brenda pak minutash jetën e një 28-vjeçareje nga Illinois, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Helen Dale mendonte se po vuante nga dhimbje të forta menstruale, por në të vërtetë ishte në proces lindjeje, pa pasur asnjë dijeni se ishte shtatzënë.
Gjithçka ndodhi më 22 nëntor të vitit 2025. Helen ishte zgjuar me dhimbje të forta barku, të cilat i kishte interpretuar si dhimbje të zakonshme, por më të rënda se herët e tjera, të menstruacioneve.
Fillimisht vendosi të mos u kushtonte shumë rëndësi, pasi ishte ditëlindja e partnerit të saj, Justin Hile, 32 vjeç. Madje, pavarësisht dhimbjeve, çifti kishte dalë për të ngrënë pica, ndërsa Helen nuk e dinte se ishte në proces lindjeje.
Por rreth orës 19:00, dhimbjet u bënë aq të forta sa ajo dyshoi se mund të kishte apendicit. Për të lehtësuar gjendjen, vendosi të përgatiste një vaskë me ujë të ngrohtë. Vetëm 10 minuta më vonë, ndjeu një shtysë të fortë për të shtyrë. Pas shtytjes së parë, kuptoi se po dilte koka e një foshnjeje.
“Thashë me vete: ‘O Zot, çfarë po ndodh? Po vjen një bebe dhe pjesa tjetër duhet të dalë’”, tregoi Helen.
Ajo rrëfen se pas shtytjes së dytë e mbajti foshnjën në krahë. I liroi kordonin e kërthizës, pastroi hundën e vogëlushes, e ktheu me kujdes dhe i fërkoi shpinën, derisa foshnja nisi të qante.
“Pastaj ajo filloi të qante dhe unë fillova të qaja. Gjëja e parë që i thashë vajzës sime ishte: ‘Kush je ti?’”, kujton 28-vjeçarja.
Partneri i saj ndodhej në dhomën tjetër dhe nuk kishte kuptuar se çfarë po ndodhte. Kur pa situatën, mbeti i tronditur dhe telefonoi shërbimin e urgjencës. Helen tregon se fillimisht i kishte kërkuar të telefononte numrin për raste jo urgjente, pasi mendonte se pjesa më e vështirë kishte përfunduar.
Ajo u transportua me ambulancë në spital, ku mjekët u habitën nga mënyra e pazakontë e lindjes. Vajza, e quajtur Clara, peshonte rreth 2.3 kilogramë në momentin e lindjes dhe, përveç peshës së ulët, ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Helen mori lejen për t’u larguar nga spitali pas një dite, ndërsa e vogla Clara qëndroi nën kujdesin e mjekëve për pesë ditë. Sipas shpjegimit që i dhanë mjekët, një mitër e pozicionuar e anuar dhe një placentë e vendosur në pjesën e përparme të mitrës mund të kenë ndikuar që ajo të mos dallonte lëvizjet e foshnjës gjatë shtatzënisë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Helen nuk kishte përjetuar pothuajse asnjë simptomë të dukshme. Ajo kishte shtuar vetëm rreth 4.5 kilogramë në peshë, ndryshim që ia kishte atribuar ushqyerjes më të bollshme. Edhe barku i saj nuk kishte shfaqur një fryrje të dukshme.
“Është ende e pabesueshme për mua, edhe pas një viti”, është shprehur ajo, duke treguar se madje edhe nëna e saj, e cila punon si infermiere praktikuese, nuk kishte kuptuar se ajo ishte shtatzënë kur ishin takuar një javë para lindjes.
Një tjetër detaj që e bën historinë edhe më të veçantë është fakti se Helen nuk kishte dëshiruar të kishte fëmijë, ndërsa partneri i saj kishte shpresuar prej kohësh të bëhej baba. Çifti ishte njohur vetëm 11 muaj para ardhjes në jetë të Clarës dhe kishte blerë shtëpinë e tyre vetëm tri javë përpara lindjes së papritur.
Pas kësaj ngjarjeje, familjarët dhe miqtë u mobilizuan për t’i ndihmuar çiftit, duke u dhuruar rroba për foshnjën, krevat dhe karrocë. Dhoma që ishte planifikuar si hapësirë lojërash u kthye në një dhomë për vogëlushen.
Helen pranon se kalimi nga jeta pa fëmijë në mëmësinë e papritur ishte një ndryshim i madh, por thotë se nuk do ta ndryshonte për asgjë përvojën e saj.
“Është një ndryshim shumë i madh, nga vendimi për të mos pasur fëmijë te fakti që papritur bëhesh nënë. Por nuk e pata të vështirë të krijoja lidhjen me Clarën”, rrëfen ajo.
28-vjeçarja shton se një nga gjërat më të bukura ka qenë të shohë partnerin e saj duke u bërë baba:
“Të shohësh Justin duke u bërë baba ka qenë e mrekullueshme. Ai është fantastik dhe është i çmendur pas saj”.
Sot, Clara është qendra e jetës së çiftit, ndërsa Helen e përshkruan ardhjen e saj si surprizën më të madhe që mund t’i rezervonte jeta.
