Dritë jeshile në dy komisione për sponsorizimet, deri në 30% zbritje nga tatimi mbi fitimin për bizneset që mbështesin sportin dhe kulturën

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, dhe Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, i drejtuar nga Ina Zhupa, zhvilluan sot mbledhjet e radhës, ku miratuan tre projektligje me rëndësi të veçantë ekonomike dhe sociale: projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”, ndryshimet ligjore që zhbllokojnë lidhjet e ujit dhe energjisë elektrike për banesat ekzistuese, si dhe projektligjin “Për kontabilitetin në sektorin publik”.
Lehtësira fiskale deri në 30% për sponsorizimet në sport, art dhe kulturë
Në të dyja komisionet u shqyrtua dhe u miratua si një tekst i përbashkët integral projektligji i Këshillit të Ministrave “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i bashkuar me nismën e deputetëve Taulant Balla dhe Erion Braçe për ndryshime në ligjin ekzistues të vitit 1994.
Gjatë prezantimit në Komisionin e Ligjeve, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, theksoi se sporti shqiptar nuk mund të mbështetet vetëm te fondet e buxhetit të shtetit, duke sqaruar se nisma synon që bizneset që sponsorizojnë sportin, artin dhe kulturën “të përfitojnë një zbritje deri në 30% nga tatimi mbi fitimin i çdo kompanie që bëhet pjesë e sponsorizimit të këtyre aktiviteteve”.
Nismëtari tjetër, deputeti Erion Braçe, u ndal te formalizimi i sektorit, duke nënvizuar se ligji “synon që ta kthejë sportin në ekonomi” përmes një partneriteti të ri me sipërmarrjen private.
Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, bëri me dije se projektligji është konsultuar me grupet e interesit dhe është dakordësuar me Komisionin Evropian, duke vendosur rregulla transparente se kush mund të sponsorizojë, me ndikim në sport, kulturë dhe 10 sektorë të tjerë me interes publik.
Nga ana e tij, ministri për Kulturën, Turizmin dhe Sportin, Blendi Gonxhja, vlerësoi se një risi e rëndësishme është “mundësia që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare”. Pas relatimeve mbështetëse nga deputetët Arkend Balla, Xhenis Çela dhe Olsi Komici, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi në të dyja komisionet.
Zgjidhje për lidhjet me ujë dhe energji elektrike pa certifikatë përdorimi
Komisioni i Ligjeve miratoi gjithashtu projektligjin e propozuar nga deputetja Besa Spaho për ndryshime në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, në prani të zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.
Deputetja Spaho sqaroi se nisma u hap rrugë lidhjeve individuale me rrjetin publik të ujit dhe energjisë elektrike për banesat dhe njësitë e përfunduara e të përdorura para datës 1 tetor 2025, të cilat kanë mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së certifikatës së përdorimit. Sipas saj, kjo vjen “për shkaqe që nuk varen nga banorët, por zhvilluesi nuk ekziston më, është çregjistruar ose nuk e ndjek procedurën, apo ku procesi i legalizimit ose i regjistrimit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është ende në pritje”. Pas vlerësimit pozitiv të relatorit Ani Dyrmishi, nisma u miratua në tërësi.
Kontabiliteti në sektorin publik dhe shtyrja e ligjit për transportet
Më herët në Komisionin e Ligjeve, me prezantimin e zëvendësministrit të Financave, Andi Memeti, dhe relatimin e deputetes Zegjine Çaushi, u miratua projektligji “Për kontabilitetin në sektorin publik”, i cili ngre bazën rregullatore të kontabilitetit dhe raportimit financiar nga niveli i udhëzimeve në nivel ligji, me synim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Ndërkohë, pika e fundit e rendit të ditës mbi ndryshimet në ligjin “Për transportet rrugore”, nismë e deputetit Adi Qose, u vendos të shtyhet për shqyrtim në një nga mbledhjet e radhës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



