E martë, 24 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Mori pjesë në protestë, qytetarit i ndalohet dalja nga Shqipëria pa vendim gjykate
Denoncime

Mori pjesë në protestë, qytetarit i ndalohet dalja nga Shqipëria pa vendim gjykate

Pjesëmarrja në protestat e fundit po shoqërohet me denoncime për probleme në pikat kufitare, ku disa qytetarë pretendojnë se janë ndaluar ose veçuar gjatë procedurave të daljes nga Shqipëria.

Rasti më i fundit është denoncuar nga pedagogu Ermal Hasimja, i cili ka treguar se është ndaluar për verifikim në Aeroportin e Rinasit, ndërsa po kryente kontrollin e pasaportës. Sipas tij, punonjësit e policisë e kanë shoqëruar në zyrën e drejtuesit të shërbimit, ku i është komunikuar se ndalimi mund të kishte lidhje me protestën.

Hasimja thotë se fillimisht efektivja që kontrollonte dokumentet e kishte veçuar pasi kishte konstatuar një shënim në sistem. Më pas, drejtuesi i ka shpjeguar se mund të bëhej fjalë për një ngatërrim identiteti me një protestues tjetër.

Megjithatë, pedagogu shprehet se ky shpjegim nuk e ka bindur dhe ngre dyshime për arsyet e vërteta të verifikimit.

Në reagimin e tij, Hasimja paraqet dy mundësi: ose bëhet fjalë për një formë presioni ndaj personave që kanë marrë pjesë në protestë, përmes kërcënimit të kufizimit të lëvizjes jashtë vendit, ose policia po kryen verifikime për persona që mund të jenë nën masën e detyrimit për paraqitje.

Një tjetër denoncim është bërë publik nga Eda Grimci, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike. Ajo ka publikuar një dokument që, sipas saj, tregon se një qytetari i është refuzuar dalja nga Shqipëria për shkak të një informacioni të regjistruar në sistemin e Policisë.

Grimci pretendon se qytetari nuk dispononte një vendim gjykate që t’i ndalonte lëvizjen jashtë vendit dhe ngre pikëpyetje mbi bazën ligjore të këtij veprimi.

Ajo dyshon se masa mund të ketë lidhje me pjesëmarrjen në protestë dhe kërkon shpjegime për mënyrën se si një shënim në sistemin policor mund të përdoret për të penguar një qytetar të largohet nga vendi.

Denoncimet vijnë në një kohë kur qeveria ka paralajmëruar nisma ligjore dhe masa ndaj personave që kryejnë akte të dhunshme apo cenojnë rendin publik gjatë protestave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.