Katër persona, mes tyre tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë dhe një avokat, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në kuadër të një operacioni të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprat penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “Ushtrimit të ndikimit” dhe “Bashkëkryerjes”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat nën hetim kanë ndërhyrë për të ndikuar në procedura që lidhen me afatet e shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje të punësimit.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar katër telefona celularë, dy njësi kompjuterike dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se mund të shërbejnë si prova për zbardhjen e plotë të rastit.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura detaje të tjera mbi identitetin e të arrestuarve apo rolin konkret që dyshohet se ka pasur secili në këtë çështje. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej tyre.













