Mjeku Ermal Pashaj, i ftuar në një intervistë për News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend dhe protestën, duke u bërë thirrje deputetëve dhe forcave politike që të mbështesin kauzën qytetare.

Pashaj deklaroi se Partia Socialiste është kthyer në një parti totalitare, ndërsa theksoi se protesta nuk duhet të shihet si një kauzë partiake, por si një lëvizje në interes të Shqipërisë.

Ai u bëri thirrje deputetëve që të mos e kufizojnë angazhimin e tyre vetëm në shesh, por ta zhvillojnë betejën politike edhe brenda Parlamentit, përmes nismave ligjore dhe adresimit të problematikave të ngritura nga qytetarët.

Një tjetër apel i tij lidhej me datën 28 nëntor, kur sipas mjekut, shqiptarët nga diaspora pritet të vijnë në Shqipëri. Pashaj theksoi se protesta ka zgjuar vigjilencën e qytetarëve dhe se partitë opozitare duhet ta shohin atë si aleate.

“Të gjithë polet politike i ftoj të qëndrojnë në polin e protestës sepse protesta nuk është vokacion për parti, por është vokacion për Shqipëri. Deputetët fushëbetejën nuk e kanë në shesh, por e kanë në Parlament. I ftojmë që të bëjnë më shumë në Parlament. Asnjë elektorat nuk është i përjashtuar. Unë mendoj që deputetët që janë luksin të shprehin problematika dhe t’i rrinë kauzës brenda në Parlament, të ndërmarrin nisma ligjore sikundër ka marrë protesta…Luftën reale e kanë në Parlament…më 28 nëntor do të zbarkojnë në Shqipëri, bijë të shqipes nga çdo anë e botës. Është momenti të tregojnë paqësisht me forcën e numrave se ata janë aty. Në Shesh është Shqipëria, është populli i thjeshtë shqiptar që është mbushur me lajka që nuk sjellin asnjë dobi në jetën e tyre të përditshme . Protesta ka zgjuar vigjilencën e popullit për të parë ato që janë politikbërjen që duhet ta prekin. Partitë opozitare mund ta bëjnë protestën aleate. Zgjidhjet do të dalin kur njerëzit ta kuptojnë që kjo lëvizje, ky moment në Shqipëri është historik”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb