Lajmi i fundit

LIVE/ PD zhvillon foltoten e 'Ripërtëritjes' në Durrës

Gjithçka po shtrenjtohet në vend, inflacioni iu kthye rritjes në muajin tetor

Gjithçka po shtrenjtohet në vend, inflacioni iu kthye rritjes në muajin tetor

17:49, 24/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Inflacioni bazë iu kthye rritjes në muajin tetor, pas tre muajsh radhazi në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë inflacioni vjetor bazë u rrit në 2.6%, nga 2.37% që kishte qenë një muaj më parë.

Megjithatë, inflacioni bazë ngelet në rënie me bazë vjetore, duke zbritur poshtë nivelit prej 3.13% ku kishte qenë një vit më parë.

Gjithashtu, inflacioni bazë ende ngelet poshtë nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për tetorin shënoi nivelin 3.4%.

Rënia e përkohshme e inflacionit bazë në muajt e fundit ka qenë e lidhur sidomos me efektin e bazës krahasuese të nëngrupit të qirave, i cili ka dhënë edhe kontributin kryesor në rritjen e inflacionit bazë në vitet e fundit.

Nën-shporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Ai është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.

Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto iu rikthye rritjes

Për tetorin, ky tregues u rrit në nivelin në 2.35%, nga 2.23% që kishte qenë në shtator. Edhe inflacioni bazë neto ngelet në rënie vjetore, nga niveli prej 3.36% i një viti më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 49% të shportës së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në tetor 2026 u rrit në nivelin 2.36%, nga 2.21% që kishte qenë në gusht, por në rënie prej nivelit 3.36% ku qëndronte një vit më parë.

Ulja e inflacionit bazë në periudhën korrik-shtator u duk se i uli presionet më të qëndrueshme inflacioniste mbi ekonominë. Megjithatë, rikthimi i rritjes në muajin tetor tregon se rreziqet inflacioniste ngelen të larta.

Banka e Shqipërisë deri tani ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, pavarësisht rrezqieve inflacioniste në ekonomi. Konflikti në Lindjen e mesme ka rritur çmimet e naftës që prej muajit mars, ndërkohë që presionet e brendshme ngelen të qëndrueshme, të lidhura me kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe të tregut të qirave./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco