Integrimi europian i Shqipërisë, thellimi i marrëdhënieve me Gjermaninë dhe tërheqja e më shumë investimeve gjermane ishin në fokus të takimit të deputetes demokrate Jorida Tabaku me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
Përmes një postimi në Facebook, Tabaku e cilësoi Gjermaninë një partner strategjik të Shqipërisë, duke theksuar se ka hapësira për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë kyç të ekonomisë.
“Një takim shumë miqësor me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. Biseduam për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe për reformat që i duhen vendit për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shkroi Tabaku.
Deputetja demokrate nënvizoi se tërheqja e investimeve gjermane kërkon zbatimin e plotë të reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Gjermania është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë. Kemi mundësi ta thellojmë këtë partneritet, të zgjerojmë bashkëpunimin në sektorë kyç dhe të tërheqim më shumë investime gjermane.
Kjo kërkon reforma të zbatuara deri në fund, që forcojnë sundimin e ligjit dhe u japin bizneseve sigurinë për të investuar. Janë pikërisht këto reforma që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe u shërbejnë, mbi të gjitha, qytetarëve shqiptarë”, shkroi Tabaku.










Komente
Komento