Një 13-vjeçare nga Shkodra, e cila ishte larguar nga banesa prej rreth dy javësh, është gjetur në Tiranë, ndërsa hetimet kanë zbuluar dyshime se e mitura është abuzuar seksualisht nga disa persona të rritur në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas raportimit të Vox News, pas zhdukjes së vajzës, policia e Shkodrës dhe struktura të tjera vendore, në bashkëpunim me prokurorinë dhe me asistencën e forcave të sigurisë së Ambasadës amerikane, nisën kërkimet për gjetjen e saj.
E mitura u gjet pas disa ditësh në Tiranë, në gjendje të rënduar psikologjike. Pas ekzaminimeve mjekësore, dëshmisë së saj dhe provave të mbledhura nga hetuesit, dyshohet se ajo ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga persona të ndryshëm në disa qytete të vendit.
Deri tani raportohet se janë arrestuar të paktën katër persona, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas burimeve të cituara nga media, numri i personave të dyshuar mund të jetë shtatë ose më shumë. Në disa raste, hetuesit dyshojnë se të rriturit i kanë dhënë para të miturës.
Vajza ishte nxënëse në një shkollë private në Shkodër, ku ishte regjistruar rreth katër vite më parë, pas kthimit të familjes nga Shtetet e Bashkuara. Ditën e largimit, ajo ishte dërguar në shkollë nga nëna, por nuk kishte hyrë në mësim. Më pas kishte udhëtuar me autobus drejt Tiranës.
Sipas hetimeve të raportuara, gjatë kësaj periudhe 13-vjeçarja ka lëvizur në disa qytete, mes tyre Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të rikthehej në Tiranë. Ajo dyshohet se ka udhëtuar e vetme, herë me autobus dhe herë me taksi.
Raportimi bën të ditur se një pjesë e personave të dyshuar janë arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e të tjerëve. Rrethanat e plota të rastit dhe mënyra se si e mitura është vënë në kontakt me personat e dyshuar mbeten objekt i hetimit.
Aktualisht, vajza ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr kujdes mjekësor dhe psikologjik, me mbështetjen e punonjësve socialë. Çështja po ndiqet nga Policia e Shtetit, prokuroria dhe Ambasada amerikane.


