Aktualitet

“Mbylle mikrofonin, të ta shpjegoj”/ “Ke shkelur Kushtetutën”, Përplasje Zhupa-Balla për nismën e sponsorizimeve në Komision

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën ka miratuar nismën e deputetëve socialistë Taulant Balla dhe Erion Braçe për disa ndryshime në ligjin “Për sponsorizimet”, si dhe projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”, të propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Shqyrtimi i nismës së Ballës dhe Braçes u shoqërua me debate mes kryetares së komisionit, Ina Zhupa, dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për respektimin e procedurave parlamentare dhe efektet financiare të projektligjit në buxhetin e shtetit.

Zhupa akuzoi dy deputetët socialistë për shkelje të nenit 82 të Kushtetutës, duke pretenduar se në nismën e depozituar më 28 tetor nuk ishin evidentuar efektet financiare. Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për shqyrtimin me përparësi të projektligjeve të mazhorancës, ndërkohë që nismat e opozitës mbeten në pritje.

Kryetarja e komisionit pretendoi se Balla dhe Braçe e kishin depozituar paraprakisht projektligjin për të rezervuar datën e shqyrtimit, përpara se Këshilli i Ministrave të paraqiste nismën e tij më 13 nëntor. Zhupa kërkoi tërheqjen e projektligjit të dy deputetëve socialistë dhe miratimin e atij të qeverisë.

“Ju keni shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, iu drejtua Zhupa Ballës, duke e akuzuar për fshehjen e efekteve financiare të nismës.

Nga ana tjetër, Balla mbrojti projektligjin, duke argumentuar se ai është hartuar pas konsultimeve me ministrat dhe se i referohet modelit hungarez. Sipas tij, nisma synon krijimin e një mekanizmi të ri financimi, që u mundëson bizneseve të destinojnë deri në 30% të tatimfitimit për mbështetjen e sportit, artit dhe kulturës.

Balla kërkoi që ministria të ketë autoritetin për përcaktimin e pragjeve dhe prioriteteve të financimit, ndërsa theksoi edhe nevojën për t’i dhënë fund pagesave informale të sportistëve.

Përplasja mes dy deputetëve vijoi për bashkimin e nismave ligjore. Balla argumentoi se Rregullorja e Kuvendit parashikon bashkimin e projektligjeve me të njëjtin objekt, ndërsa Zhupa deklaroi se nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për këtë procedurë.

Debati kaloi në replika personale, ku nuk munguan as ironitë për qumështin, uljen e çmimeve dhe ngjyrat partiake. Balla akuzoi Zhupën se nuk dinte të drejtonte një komision parlamentar, ndërsa kjo e fundit këmbënguli se deputeti socialist kishte shkelur Kushtetutën.

Debati në komision:

Ina Zhupa: Ju e keni depozituar nismën tuaj më 28 tetor, goxha, dhe më 12 nëntor e keni sjellë. Se i keni vënë shishen juve dhe pastaj vijnë këto. Ndërkohë që projektligjet tona ende nuk futen, tuajat futen pa u bërë muaji direkt.

Taulant Balla: Pas një diskutimi të gjatë me ministrat, kemi arritur që propozimin tonë, të cilin Kushtetuta e pranon, që një deputet të vijë me një propozim, themeli i propozimit tonë është edhe themeli i propozuar nga qeveria. Ne i jemi referuar modelit hungarez. Sporti, arti dhe kultura janë politika publike, jo private. Këtë aktivitet publik tua mundësojmë në kushte sa më të mira. Jam këtu si propozues, sepse sporti, si futbolli në Shqipëri, ka nevojë për mbështetje financiare. Ne jemi një vend që ende nuk kemi një pistë skish. Qeveria po jep këto lekë. Po ulim TVSH-në e ushqimeve nga 20% në 6%, që 150 milionë euro t’ua çojmë buxheteve të familjeve shqiptare. Po ulim taksën e qarkullimit me 350 milionë euro, që t’i çojmë në xhepat e qytetarëve. 30% të tatimfitimit që do të paguajë në buxhetin e shtetit, t’ia japë sportit. Por para publike janë këto. Mendoj që këtu t’i lëmë llogoret, por të themi se ne e mbështesim. I kemi kërkuar qeverisë edhe në komisione të tjera që ministria të ketë autoritetin që të përcaktojë pragjet, por të ketë edhe autoritetin të përcaktojë prioritetet.

Ky ligj është një financim i mirë për t’i financuar në mënyrë të saktë, do të vlejë për të gjitha financimet e tjera që hyjnë në të. Duhet të marrin fund rastet kur sportistët marrin pagën, edhe kur në dhomat e zhveshjes marrin diferencën e pagës. Falë kësaj qeverie jemi në kushtet që Shqipëria ka një impiant sportiv si Air Albania. Shqipëria ka sot një impiant sportiv në Kukës, kemi në Shkodër stadiumin Loro Boriçi, kemi në Elbasan dhe kemi në projekt tre impiante: një në Durrës, një në Korçë dhe një në Vlorë. Duke i thënë të gjitha këto, mendoj se besoj na çojnë të gjithëve në një pikë. Përsëri, nga buxheti i shtetit, nga paratë publike, por besoj e mbani mend sa luftë u bë për ato shkallët dhe gjithë atë histori. Por e vërteta është që është një diamant i bukur. Shpresoj shumë që të gjithë, pa dallime partiake, ta votojmë.

Ina Zhupa: Zoti Balla, kam një çështje me projektligjet tuaja. Vjen nga dy deputetë, sipas nenit 82 të Kushtetutës, dhe ju as nuk keni përmendur fare që ka efekte financiare. Ju supozohet që, kur e sillni një projektligj, nuk e dinit që do të vinte një projektligj tjetër. Po si bandë punoni! Por nuk desha të merresha me bandën, sesa me thelbin. Ju keni shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Zoti Balla di të mbrohet vetë. Nëse doni ta mbroni, bëjeni me devotshmëri.

Taulant Balla: Ju opinionin e qeverisë e keni përpara.

Ina Zhupa: Kam dy projektligje më 28 tetor dhe nuk e dinit që do të vinte një projektligj tjetër. Fsheh faktin që ka efekte financiare. Projektligji tjetër është i 13 nëntorit. Ose ju tërhiqeni totalisht dhe miratojmë këtë të Gonxhes dhe Pirdenit, ose duhet të ishte brenda rregullores së Kushtetutës.

Taulant Balla: Unë do të flas vetëm kur të duash ti, por do të flas vetëm unë.

Ina Zhupa: Do të ta jap fjalën dhe në çdo moment që unë dua të dëgjoj, që gënjeni patjetër, do t’ju ndaloj.

Taulant Balla:  E para është që jeni një deputete e re dhe e re si kryetare e komisionit dhe, për fat të keq, e keni nisur gabim këtë çështje, sepse në hapje të këtij diskutimi ju duhet të kishit hedhur në diskutim bashkimin e nismave.

Ina Zhupa: Askush nuk e kërkoi bashkimin. Çfarë të hedh në votim kur nuk e kërkoi askush? Jo, nuk të dëgjoj.

Taulant Balla: Mbylle mikrofonin, të ta shpjegoj, që të mësosh.

Ina Zhupa: Nuk kam nevojë të më mësosh, se deri tani kam mandatin e dytë. Deri tani, në këto momente, nuk kam propozim për të bashkuar nismat.

Taulant Balla: A ta mbaroj unë? Se ta kërkon rregullorja bashkimin, por duhet të kesh mendjen në vendin e duhur që ta kuptosh se, kur dy nisma janë me të njëjtin objekt, rregullorja i bashkon dhe kjo ka ndodhur në të gjitha komisionet. E mirë…

Ina Zhupa: Ti projektligjin duhet ta sillje në rregull. Kjo vërteton që ti ke vënë shishen e qumështit për të zënë datën për projektligjin që do të sillte Këshilli i Ministrave.

Taulant Balla: Ti e ke merakun te qumështi, po qumështit do t’i ulet çmimi.

Ina Zhupa: E juve ju është prishur qumështi, kosi e hirra dhe jeni bërë një qeverisje që nuk ju duron më njeri, që as haheni, as piheni.

Balla: Prandaj keni veshur edhe ngjyrën e partisë tonë.

Ina Zhupa: E keni monopolizuar edhe ngjyrat tani. Duhet të mësosh procedurat.

Taulant Balla: Ditën që do të më mësosh ti procedurat, unë iki nga kjo sallë. Ti nuk di të drejtosh një komision…