Komponentë elektronikë amerikanë dhe evropianë, të prodhuar vetëm pak muaj më parë, janë zbuluar në dronët rusë të përdorur në sulmet kundër Ukrainës.
Gjetjet tregojnë se Moska vazhdon të sigurojë teknologji perëndimore, pavarësisht sanksioneve të vendosura prej më shumë se katër vitesh nga SHBA-ja dhe vendet evropiane.
Sipas një hetimi të publikuar nga gazeta ukrainase “Kyiv Independent”, pjesë të prodhuara në vitin 2026 janë gjetur në një dron sulmues rus të tipit Geran-4, i cili u rrëzua në rajonin e Kievit në mesin e gushtit.
Të dhënat, të mbështetura në një raport të shërbimeve të inteligjencës ukrainase, zbulojnë se droni ishte prodhuar në Zonën Ekonomike Speciale të Alabugës në Rusi dhe përmbante pothuajse 100 komponentë të prodhimit të huaj.
Ajo që ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e hetuesve është fakti se disa prej këtyre pjesëve ishin prodhuar vetëm disa muaj përpara se të përdoreshin në armët ruse.
Komponentë të prodhuar në SHBA dhe Evropë, pavarësisht sanksioneve
Nga 12 komponentët për të cilët u identifikuan kodet e prodhimit, shtatë ishin prodhuar në vitin 2026, tre në vitin 2025 dhe dy në vitin 2024.
Mes kompanive prodhuesе të identifikuara janë:
– CTS Corporation (SHBA): Ka prodhuar çipa kohëzues, me data prodhimi në janar, shkurt dhe mars 2026.
– Vishay Intertechnology (SHBA): Një diodë fuqie e prodhuar në mesin e shkurtit 2026 u gjet në dron.
– STMicroelectronics (Zvicër/Francë-Itali): Një mikrokontrollues i prodhuar në fillim të shkurtit 2026, i montuar dhe testuar në Malajzi.
Në përgjigjet e tyre për “Kyiv Independent”, STMicroelectronics dhe Vishay Intertechnology deklaruan se kanë pezulluar operacionet dhe dërgesat drejt Rusisë që prej vitit 2022 dhe se zbatojnë programe të rrepta për respektimin e sanksioneve. Të dyja kompanitë nuk dhanë shpjegime se si komponentët e tyre përfunduan në duart e ushtrisë ruse.