Aktualitet

Dy ditë larg votimit të Paketës Fiskale dhe Buxhetit 2027, sindikatat letër Ramës: Tejkalon interesat ekonomik

Teksa vetëm 2 ditë na ndajnë nga miratimi nen për nen i Paketës Fiskale dhe Buxhetit 2027 në Parlament, 30 shoqata dhe sindikata kanë paraqitur kërkesat e tyre në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave dhe Kuvendit dhe për dijeni BE.

Oganizatat kërkojnë që paga minimale të mbetet e patatueshme dhe barra fiskale të lehtësohet për punonjësit me të ardhura të ulëta.

Në argumentimin e tyre ato ngrenë një paradoks në skemën aktuale të tatimit mbi pagat. Sipas përllogaritjeve në letër një punonjës me pagë bruto 50 mijë lekë merr 44 mijë e 400 lekë në dorë.

Por me një rritje page prej vetëm 1 mijë lekësh, në 51 mijë lekë bruto, paga neto zbret në 43 mijë e 208 lekë. Më shumë pagë në kontratë por më pak para në xhep.

“Pragu i patatueshëm të lidhet me pagën minimale zyrtare dhe të përditësohet automatikisht sa herë që ajo rritet. Rritja e pagës nuk mund të përkthehet në ulje të të ardhurave të punëmarrësit. Kjo nismë tejkalon interesat e një sektori të caktuar ekonomik dhe vendos në qendër interesin e përbashkët të punëmarrësve, familjeve, konsumatorëve dhe sipërmarrjes”.

Shqetësimi i dytë lidhet me çmimet. Organizatat kërkojnë që ulja e propozuar e TVSH-së për produktet bazë nga 20 në 6 për qind të reflektohet realisht në faturën e konsumatorit.

Ndërkohë kërkojnë të analizohet edhe efekti i rritjes së TVSH-së standarde nga 20 në 21 për qind, uljes së pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset dhe rritjes së tatimit mbi dividendin nga 8 në 15 për qind.

Në letër kërkohet monitorim mujor i çmimeve për gjashtë muajt e parë, publikimi i ndikimit të paketës në buxhetet familjare dhe zhvillimi i një seance dëgjimore me grupet e interesit në Kuvend. Ndërsa kërkojnë që komisioni përgjegjës të pasqyrojë në raportin e tij propozimet e paraqitura dhe mënyrën se si janë trajtuar.