Rajoni

Vrasja e Arlinda Zekajt, reagon prokuroria: Katër persona të dyshuar për krimin, vjehrra dhe kunati i saj…

Katër persona janë ndaluar nga policia lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, njofton Prokuria Themelore në Prishtinë.

Mes tyre janë Nurije Sylaj, vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, kunati i saj, të cilët dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sipas së cilës ndalimet janë kryer me urdhër të prokurorit të Shtetit, pas veprimeve intensive hetimore.

Dy nga të ndaluarit, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, dyshohen për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, ndërsa dy personat e tjerë, me inicialet M. P. dhe G. B., dyshohen për dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që, sipas Prokurorisë, mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat dyshohen.

Prokurori i çështjes ka vendosur gjithashtu zgjerimin e hetimeve, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria pritet t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.

Njoftimi i prokurorisë:

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njoftojnë opinionin publik se në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve intensive hetimore, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë ndaluar katër (4) persona për 48 orë.

Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N. S. dhe D. S., dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale ‘vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së , ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M. P. Dhe G. B. dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’ nga neni 380 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen.

Në kuadër të procedurës penale, prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë rrethanave të rastit.

Brenda afatit ligjor, prokurori i Shtetit, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.