Një ngjarje e rëndë që përfshin abuzimin seksual të një të miture 13-vjeçare po hetohet nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria, pas zhdukjes së vajzës nga Shkodra dhe gjetjes së saj disa ditë më vonë në Tiranë.
13-vjeçarja, me origjinë nga Shkodra dhe e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte larguar nga shtëpia pa dijeninë e familjarëve. Pas denoncimit, policia e Shkodrës, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera vendore, Prokurorinë dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës Amerikane, nisën kërkimet për gjetjen e saj.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë, në gjendje të rënduar psikologjike. Nga ekzaminimet mjekësore, dëshmia e saj dhe provat e mbledhura nga grupi hetimor, dyshohet se 13-vjeçarja është abuzuar seksualisht nga disa persona të rritur në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Deri më tani, të paktën katër persona janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve paraprake, në disa raste dyshohet se personat e përfshirë i kanë dhënë para të miturës në këmbim të marrëdhënieve seksuale.
Sipas të dhënave të hetimit, ditën e largimit, nëna e kishte përcjellë vajzën si zakonisht në shkollën private ku ajo studionte prej rreth katër vitesh, pas kthimit të familjes nga SHBA-ja në Shkodër.
Por 13-vjeçarja nuk u fut në mësim. Ajo arriti të largohej nga ambientet e shkollës dhe mori autobusin drejt Tiranës.
Nga verifikimet e grupit hetimor rezulton se gjatë ditëve në vijim ajo ka udhëtuar në disa qytete të vendit, mes tyre Fier, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Burrel, përpara se të rikthehej në Tiranë.
Lëvizjet i ka kryer e vetme, herë me autobus dhe herë me taksi. Sipas hetimeve paraprake, nuk ka të dhëna se ajo është shoqëruar apo detyruar nga ndonjë person për të udhëtuar në këto qytete. Personat e dyshuar për abuzimin me të dyshohet se e kanë takuar rastësisht.
Aktualisht, 13-vjeçarja ndodhet në një qendër sociale në Tiranë, ku po merr kujdesin e nevojshëm nga psikologë, mjekë dhe punonjës socialë. Rasti po ndiqet nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe strukturat përkatëse të Ambasadës Amerikane.
Sipas burimeve, babai i të miturës është person i dënuar me burg, ndërsa vajza jetonte me nënën e saj. Mësohet se edhe më parë ajo ishte larguar nga banesa për disa orë, por ishte kthyer në shtëpi.
Në këtë rast, hetuesit po verifikojnë edhe dyshimet se 13-vjeçarja kishte marrë disa bizhuteri ari nga banesa, të cilat i kishte shitur për të siguruar para gjatë lëvizjeve të saj në qytete të ndryshme.
Arsyet që e çuan të miturën të largohej nga Shkodra dhe rrethanat në të cilat u takua me personat e dyshuar për abuzimin seksual mbeten ende objekt hetimi.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë. Sipas të dhënave paraprake, numri i tyre mund të jetë shtatë ose më shumë.
Policia Shkodër
Ndalohen, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, dy shtetas të dyshuar për trafikim të të miturve dhe abuzim seksual.
Pas kallëzimit të familjarëve se një 13-vjeçare ishte larguar nga banesa, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër nisën kërkimet për gjetjen e saj. Kërkimet u zhvilluan në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u gjet në Tiranë.
Në kuadër të hetimeve për këtë rast, shërbimet e DVP Tiranë ndaluan shtetasin A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shërbimet e DVP Fier ndaluan shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fier.
Gjykata caktoi ndaj të dy shtetasve masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur’ dhe ‘Trafikimi i të miturve’, të parashikuara përkatësisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
© SYRI.net