Rasti i rëndë me 13-vjeçaren me shtetësi amerikane në Shkodër, prangosen dy shtetas në Tiranë dhe Fier, akuzohen për trafikim të miturish dhe abuzim seksual

Aktualitet | 1 minutë më parë

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Tiranës dhe Fierit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka goditur një rast të rëndë të trafikimit dhe abuzimit seksual të një të miture 13-vjeçare.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, kërkimet nisën pas kallëzimit të familjarëve se 13-vjeçarja ishte larguar nga banesa në Shkodër. Pas disa ditësh hetimesh dhe gjurmimesh intensive në disa qytete, vajza u lokalizua dhe u gjet në Tiranë.

Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e DVP Tiranë ndaluan shtetasin me iniciale A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shërbimet e DVP Fier ndaluan shtetasin E. V., 49 vjeç, banues në Fier.

Gjykata caktoi ndaj të dyve masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.

Detajet nga emisioni “Në Kohë Reale” në RTSH

Ngjarja e rëndë u trajtua edhe në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH 1, ku u bënë me dije detaje shtesë mbi dinamikën e largimit të vajzës dhe shtrirjen e hetimeve.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shkodra, gazetarja e RTSH-së, Merisa Gjoni, raportoi se e mitura ishte larguar nga shtëpia në mëngjes me pretendimin se po shkonte në shkollë.

“E ëma kishte menduar se vajza ishte në shkollë. Kur ajo nuk është kthyer në banesë, ka kontaktuar mësuesit, të cilët kanë konfirmuar se nuk ishte paraqitur fare në procesin mësimor. Më pas është bërë denoncimi në Policinë e Shkodrës”, u shpreh gazetarja.

Gjoni sqaroi gjithashtu arsyen e përfshirjes së strukturave të sigurisë të Ambasadës Amerikane në këtë operacion, duke bërë të ditur se vajza gëzon shtetësi amerikane.

“13-vjeçarja ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa familja ishte rikthyer për të jetuar në Shkodër rreth katër vite më parë”, raportoi ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme