Komisionet parlamentare kanë pranuar propozimin e deputetëve socialistë Taulant Balla dhe Erion Braçe për heqjen e kufirit prej 30 milionë lekësh të rinj, si vlerë maksimale sponsorizimi që një biznes i vetëm mund të ofrojë gjatë një viti.
Projektligji për sponsorizimet, i cili fillimisht parashikonte një tavan prej 30 milionë lekësh për një kompani, është ndryshuar gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare, pas kundërshtimeve të Ballës dhe Braçes. Propozimi i tyre u pranua si në Komisionin e Kulturës, ashtu edhe në Komisionin e Ligjeve.
Deputeti Erion Braçe argumentoi se nuk ka logjikë vendosja e një kufiri të tillë në ligj, duke theksuar se vlera e sponsorizimit duhet të përcaktohet përmes kontratave.
“Tavanin që është vendosur në ligj, për masën që i vendoset një kompanie për të sponsorizuar në vit, atë 30 milionësh, e kemi hequr se s’ka logjikë. Çdo tavan vendoset në kontratë, sepse nuk kemi pse vendosim tavan në ligj”, u shpreh Braçe.
Ndryshime janë dakordësuar edhe për mënyrën e shpërndarjes së fondit total të sponsorizimeve, që parashikohet të arrijë në 3 miliardë lekë. Fondi do të kategorizohet mes sportit, artit dhe kulturës, ndërsa përcaktimi i përqindjeve do të bëhet përmes akteve nënligjore.
Taulant Balla kërkoi që pjesa më e madhe e fondit të shkojë për sportin, me një preferencë të veçantë për futbollin, por edhe me trajtim të diferencuar për sportistët elitarë.
“Duhet të ketë një diferencim. Në aktet nënligjore që do të bëjë ministria, qoftë vendim i Këshillit të Ministrave apo udhëzime, duhet të jetë shumë e qartë që pjesa e luanit duhet t’i kalojë sportit. Dhe brenda pjesës së sportit duhet të kemi parasysh një preferencë të posaçme për sportin e futbollit”, deklaroi Balla.
Sipas propozimit, përveç futbollit, edhe sportistët elitarë do të përfitojnë nga një trajtim i veçantë në skemën e re të sponsorizimeve.
