Ardian Hoxha dhuron 250,000 dollarë për Fondacionin Rotary dhe themelon Fondin e Përhershëm “Remzi Hoxha”

Filantropi dhe ndërmarrësi Ardian Hoxha ka zotuar 250 mijë dollarë për Fondacionin Rotary, duke u bërë anëtari i dytë i Arch Klumph Society në Distriktin 2485, Shqipëri dhe Kosovë.


Një pjesë e donacionit do të krijojë një fond të përhershëm në emër të babait të tij, Remzi Hoxha.

Një zotim prej 250 mijë dollarësh për Fondacionin Rotary e ka bërë Ardian Hoxha, ndërmarrës dhe filantrop, si dhe një nga themeluesit e Rotary Club Prishtina. Me këtë kontribut, Hoxha bëhet anëtari i dytë i Arch Klumph Society në Distriktin 2485 të Rotary-t, që përfshin Kosovën dhe Shqipërinë.

Zotimi u nënshkrua më 21 nëntor, gjatë Darkës Gala të Samitit të Fondacionit Rotary për Zonën 21, të mbajtur në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë, në praninë e drejtuesve të Rotary International, Fondacionit Rotary, Guvernatores së Distriktit 2485, Florentina Dushi, dhe rotarianëve nga Kosova, Shqipëria e rajoni.

Një pjesë e donacionit do të përdoret për themelimin e Fondit të Përhershëm Remzi Hoxha, në kujtim të babait të tij. Fondi do të investohet nga Fondacioni Rotary, ndërsa të ardhurat e tij do të mbështesin çdo vit projekte të Rotary-t në Distriktin 2485 dhe në mbarë botën.

Pjesa tjetër e donacionit do t’i dedikohet Fondit Vjetor të Fondacionit Rotary, duke kontribuar në financimin e projekteve të klubeve në Kosovë dhe Shqipëri, në fusha si arsimi, të rinjtë, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.

“Babai im nuk dha kurrë vetëm. Gjithmonë ftonte të tjerët të jepnin bashkë me të, dhe ata e ndiqnin. Ky fond do të japë në emrin e tij, çdo vit, për sa kohë të ekzistojë Rotary”, tha Hoxha gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

Ai u bëri thirrje edhe ndërmarrësve dhe rotarianëve në Kosovë e Shqipëri që t’i bashkohen nismave filantropike, duke theksuar se madhësia e distriktit nuk duhet të kufizojë ambiciet e tij.

“Jemi një distrikt i ri, por nuk kemi pse të mendojmë si të vegjël. Ftoj çdo ndërmarrës dhe çdo rotarian në Kosovë dhe Shqipëri të na bashkohet”, u shpreh ai.

Guvernatorja e Distriktit 2485, Florentina Dushi, e cilësoi zotimin si një arritje të rëndësishme për Rotary-n në Kosovë dhe Shqipëri, veçanërisht duke pasur parasysh se distrikti është themeluar vetëm para dy vitesh.

“Vetëm dy vjet pas themelimit, Distrikti 2485 ka tashmë dy anëtarë të Arch Klumph Society. Kjo është një arritje historike për Rotary-n në Kosovë dhe Shqipëri. Dhurata e Ardian Hoxhës do të forcojë kapacitetin e klubeve tona për të shërbyer në komunitet për shumë vite me radhë dhe do të frymëzojë një kulturë të re të dhënies në distriktin tonë”, tha Dushi.

Arch Klumph Society është niveli më i lartë i njohjes për donatorët e Fondacionit Rotary, që u dedikohet individëve të cilët kanë kontribuar me të paktën 250 mijë dollarë gjatë jetës së tyre. Anëtarësimi është i përhershëm dhe ndahet me bashkëshorten, ndërsa portretet dhe biografitë e anëtarëve vendosen në galerinë e kësaj shoqërie në selinë e Rotary International në Evanston, SHBA.

Ardian Hoxha është anëtar i Rotary-t që nga viti 2004. Ai është themelues dhe Kryetar i Bordit të American School of Kosova (ASK), President i ReHox Group dhe Keiretsu Forum Southeast Europe, si dhe Konsull Nderi i Letonisë në Kosovë. Aktiviteti i tij filantropik zhvillohet edhe përmes Fondacionit Remzi Hoxha.

Fondacioni Rotary mbështet projekte humanitare në mbarë botën, në fushat e paqes, shëndetësisë, ujit, arsimit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe në përpjekjet globale për çrrënjosjen e poliomielitit./Katror.info/